Me moton “Shtëpia Jonë-Liria Jonë”, gratë e Unazës së Madhe, do të zhvillojnë nesër në ditën e 8 Marsit një protestë.
Protesta do zhvillohet aty ku çdo mbrëmje prej më shumë se 100 ditësh banorët e kësaj zone mblidhen për të protestuar kundër prishjes së shtëpive të tyre për zgjerimin e segmentit nga Sheshi Shqiponja te pallati me shigjeta.
Një projekt që është ndërprerë përkohësisht pas zbulimit të falsifikimit të dokumenteve për tenderin e njërit prej loteve të këtij projekti.
Ato u bëjnë thirrje grave të kryeqytetit që të bashkohen në këtë protestë për mbrojtjen e shtëpive të tyre, të cilët po u prishen në mënyrë të paligjshme.
Banorët e Unazës së Madhe kanë mbi 3 muaj që protestojnë çdo ditë në këtë segment, duke kundërshtuar fuqishëm prishjen e banesave të tyre.
Ata e kanë denoncuar këtë projekt të cilin e cilësojnë si korruptiv, ndërsa kërkojnë vijimësisht anulimin e tij të menjëhershëm.