Vendosni fjalën kyçe....

Ulet me 3 herë prodhimi i energjisë, OSHEE në dy muaj importon 59 milionë euro


Shqipëria po përballet me një situatë të vështirë hidrike.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në janar prodhimi i energjisë në Hidrocentralin e Fierzës ra me 3 herë krahasuar me janarin e vitit të kaluar, nga 188 giga vat që ishte, në 64 giga.

Rënia drastike e prodhimit vendas e ka detyruar OSHEE-në që të nisë importet masive të energjisë nga jashtë. Në dy muajt e parë të vitit, kompania e shpërndarjes bleu 58 milionë euro energji nga importi, ndërkohë që në mars parashikohet të shpenzojë edhe 20 milionë euro të tjera.

Shpenzimet e larta për import energjie kanë tretur fondet për investime të brendshme. Sipas planit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë për këtë vit, OSHEE ka parashikuar të investojë 9 miliardë lekë në rrjetin e shpërndarjes.

Por, kompania ka filluar që tani të shkurtojë planin e investime dhe të pezullojë kontratat e reja. Burime zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes i thanë Top Channel se prioriteti kryesor i kompanisë do të jetë furnizmi i konsumatorëve me energji dhe mbyllja e investimeve të hapura.

Por, shkurtimi i investimeve në rrjet nuk është efekti i vetëm negativ që situata e vështirë hidrike do të ketë për ekonominë. Vitin e kaluar, sektori energjetik ishte lokomotiva që udhëhoqi rritjen ekonomike prej 4.3% duke dhënë gati gjysmën në rritjen e prodhimit kombëtar.

Por këtë vit, rënia e prodhimit vendas të energjisë mund të ngadalësojë ndjeshëm rritjen ekonomike dhe të prekë financat e shtetit nëse kriza vazhdon duke e detyruar qeverinë të shpenzojë para’ nga buxheti për të blerë energji nga jashtë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *