Protestuesit u vunë zjarrin makinave dhe hodhën bomba Molotov ndaj policisë për të katërtën ditë radhazi në qytetin e Grenobles, në trazirat që kanë shpërthyer pas vdekjes së dy adoleshentëve që po ndiqeshin nga policia.
Qyteti juglindor është përfshirë nga trazira dhe përplasje me forcat e rendit për 4 ditë radhazi pasi dy adoleshentë, njëri 17 vjeç dhe tjetri 19 vjeç u përplasen me një mur, teksa po i largoheshin policisë me një motoçikletë të vjedhur.
Dhuna është përqendruar kryesisht në lagjen Mistral, ku edhe ndodhi vdekja e dy të rinjve. Protestuesit dhe familjarët e adoleshentëve kanë fajësuar policinë për vdekjen e tyre.
Në netët e para të përplasjeve, ka pasur dëme të mëdha materiale pasi janë djegur më shumë se 65 mjete, ndërsa policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
2000 persona morën pjesë ditën e djeshme në një tubim paqësor në kujtim të 2 adoleshentëve që humbën jetën pak ditë më parë, teksa përpiqeshin t’i iknin policisë.