Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nga Lezha tha këtë të diel se Edi Ramën e ka kapur ankthi i dosjeve “339” dhe “184”.
Kryemadhi shpjegoi se në këto dosje nuk bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për shitblerjen e votave, por për diçka edhe më të rëndë, siç është përdorimi i bandave kriminale për të kërcënuar qytetarët dhe për të marrë pushtetin në mënyrë jo legjitime.
“Edi Ramën e ka kapur ankthi i dosjes 339 dhe 184. Çfarë janë këto dosje? Dëgjojmë shumë për shitblerjen e votës, dëgjojmë batuta, dëgjojmë histori. Nuk është thjeshtë çështja e shitblerjes së votës por është më shumë se kaq. Është përdorim i bandave kriminale për ta blerë votën, për ta kërcënuar qytetarin dhe për ta marrë pushtetin në mënyrë jo legjitime. Për të deformuar votën e qytetarëve në mënyrë kriminale. Dhe që të deformosh votën në mënyrë kriminale është krim dhe për këtë dënohesh. Dosja 339 dhe 184 tregojnë hapur sesi banda kriminale, kanë përfshirë segmentet më të larta jo vetëm të Partisë Socialiste por edhe të qeverisjes së Edi Ramës, për shitblerjen e votës nëpërmjet grupeve kriminale. Këto janë të faktuara në dosjen 339 me zë dhe me figurë. Dëgjojmë dhe ish-shërbëtorë të opozitës apo edhe analistë të Edi Ramës që thonë janë të paligjshme”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi tha se Reforma në Drejtësi po përdor dy standarde të ndryshme, një për Ramën dhe bandën e tij, dhe tjetër standard për qytetarët e thjeshtë.
“Po pse për një qytetar të thjeshtë, i cili lyen një fasadë apo një gardh të shtëpisë së tij, duhet marrë dhe duhet futur në burg dhe duhet gjobitur. Ndërsa Kryeministri kur kapet me presh në dorë nuk duhet të merret dhe të thirret. Sa nga ju qytetarë të Lezhës për ndërtime ballkonesh pa leje dhe shumë gjëra të tjera, jeni marrë nga policia dhe jeni çuar në Prokurori, jeni dënuar. Sa nga ju kanë shkuar në burg për mospagimin e faturës së energjisë elektrike. Sa nga ju u janë prishur shtëpitë për shkak të mos legalizimit. Sa nga ju u janë gjobitur bizneset për mungesën e një fature. Sa e sa gjobitje dhe kërcënime nga shteti ka pasur ndaj familjeve të varfra. Pafundësisht. Dhe të tërë janë përballur, në polici, në prokurori, në gjykata, dhe të gjithë prisnin me padurim reformën në drejtësi. Dhe na rezultoi që Reforma në Drejtësi tjetër standard ka për Edi Ramën dhe bandën e tij kur kapen me presh në dorë nga prokuroria e Edi Ramës dhe tjetër standard paska për qytetarët shqiptarë”, tha Kryemadhi.