Nga Alket Veliu
Sot, im atë 79 vjeç merr në dorë kartën e identitetit të rinovuar dhe konstaton gabime në të dhënat e vendlindjes.
Deri në këtë moshë vendlindja e shënuar në certifikatë lindje dhe familjare, ID Card apo pasaportë ka qënë shënuar: Varfanj, Çamëri.
Sot pas marëveshjes së fshehtë mes qeverisë Shqiptare dhe asaj Greke im atë ka lindur në Varfanj, Shqiperi.
Duke u interesuar pranë autoritetit që lëshon kartat e identitetit lidhur me këtë pasaktësi në të dhënat personale jepet pergjigje që: në plotësimin e të dhënave personale dhe më konkretisht për vendin e lindjes zbatohet udhezimi nr. 7733/4 datë 23.10.2014.
Lexoj me vëmendje udhëzimin dhe konstatoj që nëse do të zbatohej udhëzimi i mësiperm karta e identitetit duhet te ishte një nga opsionet:
1) Varfanj, Çamëri (nëse s’ka toponime të dorëzuara ne OKB) ose,
2) Parapotamos, Greqi (nëse toponimet janë të dorëzuara në OKB)
Lind pyetja: ku e gjeti gjendja civile toponimim inekzistent Varfanj, Shqipëri?
Pas interesimeve paraprake rezulton që nuk kemi të bejmë me një gabim teknik pasi ky problem evidentohet te të gjithë Çamët e lindur në Çamëri para 1945.
Nuk ka dyshim që gjithë shqetësimet e Çamëve lidhur me marëveshjen e fshehtë mes dy vendeve nuk ishin rrufe ne qiell të hapur por ishim ne që kuptuam qartë se çfarë çorbe po gatuhej në atë kazan anti-Shqiptar të quajtur marëveshje.
Ideatori i kësaj rrumpallnaje ka një emër dhe ai është Edi Rama.
Është ky njeri i cili pasi dëboi nga vendi me politikat e veta qeverisëse më shumë 400.000 Shqiptarë (shumica te rinj).
Pasi lejoi pushtimin e jugut të Shqipërisë me ushtarë të vdekur imagjinarë apo me varre bosh.
Pasi nën petkun e “nacionalistit” kërkon të coptojë Kosovën apo dhe të zhduk termin Çamëri nga dokumente shtetërore dhe tekste shkollore.
Sot, këtij anti-shqiptari nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse te jetë bashkëautor në krimin e nisur në 1944 nga Zerva dhe vazhduar ne 1953 me heqjen e dhunshme të nënshtetësisë nga Enver Hoxha, duke i vrarë për të tretën herë ne 2019.
Me tjetërsimin e të dhënave identitare që po u bën atyre pleqve të lindur ne Çamëri që janë akoma gjallë, Edi Rama po ua bën ditët e mbetura të jetës akoma më të vështirë.
Nëse këta pleq do të kenë procese gjyqsore në Shqipëri apo jashtë, ndryshimi i vendlindjes përben problem juridik për ta dhe do t’u duhet një kalvar mundimesh për vërtetuar që janë të njëjtët persona, nëse Zoti do t’u japë aq ditë jetë.
Me tjetërsimin e qëllimshëm të të dhënave Edi Rama varrosi përfundimisht ëndrrën e këtyre pleqve për të parë edhe një herë tokën ku lindën duke u renditur në një ndër shqipfolësit më anti-shqiptar të të gjitha kohëve.
Bashkëngjitur: pasaporta dhe Karta e identitetit me vendlindje të ndryshme, Udhezimi Nr. 7733/4.