Shkarkohet nga detyra kreu i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vlerësuar se Seci, ka parregullsi në deklarimin e pasurisë ndërsa për pastërtinë e figurës është vlerësuar pozitivisht.
Procesi i vetingut për Secin u krye nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici.
KPK kishte dyshime për fshehjen e një apartamenti si dhe një borxh prej 20 mijë eurosh në emër të gjyqtarit.
Seci nga ana tjetër u mbrojt me argumentin se apartamentin e kishte kthyer mbrapsht dhe se nuk e njihte personin që deklaronte se i ka dhënë borxh.
Dritan Seci në deklarimet e tij të pasurisë rezulton se nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2004, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare kap vlerën e 20.1 milionë lekëve me një rritje mesatare vjetore prej 1.4 milionë lekësh.
Pasuritë e paluajtshme përbëjnë pjesën kryesore të aseteve me 13.7 milionë lekë.