Pas ministrit Lleshaj, i cili kritikoi sjelljen e policisë ndaj banorëve në përplasjen për lirimin e një banese ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Rama.
Sipas tij, mediat që kanë pasqyruar atë që ndodh në vendngjarje kanë thënë gjithçka përveç së vërtetës.
Ai i emërton ato kazanë ndërsa thotë se as qeveria dhe as bashkia nuk kanë lidhje me këtë situatë që u përket dy familjeve që janë në gjyq për këtë pronë.
“Nuk kanë asnjë faj ata që irritohen duke parë në kanale a në portale, skena si ato sot tek rruga e “Petro Ninit”, përderisa kazanët thonë gjithçka përveç të VERTETESi.
Jo do prishet shtëpia, jo do bëhet pallat, jo qeveria nxjerr jashtë banorët me policë, jo më the e jo të thashë…
Gënjeshtra pas gënjeshtrash, ndërkohë që këtu s’hyjnë asgjëkundi as qeveria e as bashkia dhe e vërteta është shumë e thjeshtë:
Janë dy palë familje në konflikt dhe njëra palë ka fituar gjyqin, pala tjetër e ka humbur! Përmbarimi kërkon të ekzekutojë vendimin dhe policia e ka detyrim ligjor ta mbështesë ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë, kur i kërkohet nga Përmbarimi. Për më shumë, ministri i brendshëm ka folur qartë e saktë, po ashtu edhe kryetari i bashkisë TR.
Llafet e tjera janë fukarallëk mediatik e politik.”, shkruan Rama në faqen e tij në “Instagram”.