Rikthimi i Claudio Ranierit në stolin e Romës pas 8 viteve, ka nisur nisur në mënyrën e duhur, pasi skuadra kryeqytetase arriti të marrë 3 pikë shumë të vyera falë fitores 2-1 përballë Empolit në “Olimpico”.
Verdhekuqtë e nisën vrullshëm sfidën dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 9’ me anë të sulmuesit El Sharawi, por gëzimi i tyre zgjati vetëm 3 minuta, pasi një devijim i pafat i Juan Jesus në portën e tij, riktheu baraspeshën.
Megjithatë të besuarit e Ranierit nuk e ulën ritmin dhe pas disa sulmesh, gjetën sërish avantazhin në minutën e 33-të, me anë të sulmuesit Patrick Schick, i cili mori besimin e trajnerit të ri të skuadrës.
Pjesa e dytë foli më shumë për miqtë, që shtuan presionin dhe filluan të shohin shpesh nga porta e Olsen. Situata u komplikua edhe më shumë për Romën, pasi në minutën e 80’, kapiteni Florenzi mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën me 10 futbollistë.
Empoli u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit dhe e gjeti atë me Kruniç në minutën e 89’, por arbitri u sinjalizua nga VAR për një prekje me dorë në nisje të aksionit dhe pasi e pa sërish rastin, vendosi të anulojë golin.
Në përfundim të sfidës, Ranieri i gëzohet debutimit me fitore, ndërsa Roma merr 3 pikë me mjaft vlera, që e mbajnë pranë skuadrave milaneze, me të cilat do të rivalizojnë për një vend në zonën Champions.