Paraditen e sotme, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar takimet në Korçë. Ai është ndalur në një biznes fason, ku pronari i këtij biznesi ka ndarë me të shqetësimin për kursin e këmbimit dhe problemet e tjera.
“Problemin më të madh e kemi patur me kursin e këmbimit. Kursi i këmbimit ka qenë katastrofë për industrinë e fasonit, të qepes dhe të këpucëve. Qeveria nga ana e saj nuk deshi t’ja dinte, nuk ka bërë asgjë. Kemi patur shumë probleme. Në fund të fundit, po falimentoi firma janë gjithë këto familje që mbeten pa punë. Nuk e llogarit fare qeveria dhe koston që do ketë nga përkrahja sociale.”, tha biznesmeni.
Këtu ndërhyn Basha, i cili thotë se kreu i shtetit duhet ta shohë vendin si prindi fëmijën.
“Nuk e llogarit fare, nuk u jep ndihmë ekonomike dhe kaq. Gjërat si në familje si në shtet lidhen. Po të jenë prindërit mirë, do të jenë dhe fëmijët mirë. Po të jenë fëmijët mirë, do të jenë dhe prindërit mirë.
Nëse punëdhënësi ka mundësi të paguajë pagat më të mira dhe të marrë sa më shumë njerësz në punë, aq më mirë duhet të ndihet shteti. Në radhë të parë sepse kjo rrit mirëqenien si shoqëri, në radhë të dytë në një kuptim më të ngushtë, sa më shumë në punë, aq më pak me ndihmë ekonomike. Por kjo në një shtet kur e sheh Shqipërinë me të njëjtin sy si prindërit familjen. Sot nuk kemi këtë shtet. Shteti sillet si një prind i keq, pijanec, abuzues, bixhozxhi.
shqetësimi i parë nuk duhet të jetë sa taksa të vjedh, por sa vende pune të krijoj.”, tha Basha.