Babë e bir janë arrestuar në Patos, pasi policia ka gjetur në banesën e tyre 31 kilogramë kanabis.
Të arrestuarit janë B.G, 51 vjeç dhe A.G, 27 vjeç, banues në Patos. Sasia e lëndës narkotike u gjet e fshehur në shtëpinë e tyre në kuadër të operacionit të koduar “Lënginas”.
” Tjetër goditje në fushën e narkotikëve falë besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët. Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Lënginas”.
Sekuestrohen 31 kg lëndë narkotike kanabis. Arrestohen në flagrancë babë e bir.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, falë bashkëpunimit me qytetarët si dhe punës së mirëorganizuar, u finalizua me sukses operacioni antidrogë i koduar “Lënginas”. Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: B.G, 51 vjeç dhe A.G, 27 vjeç, banues në Patos ( babë e bir)
Në banesën e tyre u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 31 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në servisin e kasetofonave në pronësi të tyre, u gjetën disa doza me lëndë narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.”, thuhet në njoftimin e policisë.