Gjykata e Fierit lë të lirë 4 protestuesit e arrestuar, pas protestave në Fier kundër vizitës së kryeministrit Edi Rama.
Behar Xhelo 56 vjeç, Besnik Jaupaj 56 vjeç, Gezim Balla 56 vjeç dhe Hysen Hoxha 59 vjeç, janë vlerësuar me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Këta persona u arrestuan më datë 9 mars në Fier. Tre prej tyre janë nga Patosi dhe një nga Roskoveci.
Veprat penale për të cilat ata akuzohen janë “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Pak më herët një incident u shënua para Gjykatës së Fierit, ku u dha vendimi për 4 protestuesit. Policia bllokoi hyrjen në Gjykatën e Fierit dhe kryetari i degës së PD-së Luan Baçi, i cili kërkonte të merrte pjesë në seancë është përballur me ta.
Baçi i kërkoi efektivëve të policisë t’i japin një arsye se përse ai nuk lejohet të kalojë dhe e gjitha me çfarë munden t’i përgjigjen ata është: “kemi urdhër nga shefi”, “fol me shefin”.