Vendosni fjalën kyçe....

E pezulluan pse mbrojti shtëpinë, efektivja e “Shqiponjave” rikthehet në punë


Efektivja e repartit “Shqiponja” e cila një ditë më parë u pezullua nga detyra për shkak se protestoi për të mbrojtur banesën e saj, sot ka marrë lajmin e mirë se është rikthyer në punë.

Pezullimi nga detyra i polices Drita Dervishi, shkaktoi shumë reagime në opinionin publik dhe pas kësaj drejtuesit e Policisë së Tiranës, i kanë komunikuar se do të vijojë të jetë punonjëse pranë Repartit “Shqiponja”.

Blerta Dervishi banon bashkë me 14 persona të tjerë në ndërtesën tek ‘Petro Nini’, në të cilën dy ditë më parë Përmbarimi shkoi për t’i nxjerrë jashtë dhe për të shembur banesën pas një vendimi të gjykatës që toka ku është ndërtuar banesa i takon një pronari tjetër.

Rasti i Dervishit shkaktoi shumë reagime, pasi nëna e dy fëmijëve u pezullua nga detyra, pavarësisht pamjeve ku shihej duke qetësuar protestuesit e tjerë që të mos kalonin në përdorim të dhunës fizike ndaj policëve.

Ajo është parë duke u marrë një sëpatë nga dora një banori, apo duke qetësuar banorë të tjerë për të shmangur përshkallëzimin në dhunë, por shpërblimi që mori ishte pezullimi nga detyra.

“Për momentin dje më është njohur që jam e pezulluar, motivacioni ‘pengesë për veprimet përmbarimore’. Kolegët e mi kanë qarë, kanë bërë detyrën siç është caktuar në mënyrën më të mirë të mundshme. I përgëzoj, kanë bërë detyrën e tyre si eprorët dhe efektivët e policisë. Kurse për rastin tim unë aty kam qenë si banore, qytetare e thjeshtë, e lirë për të mbrojtur pronën time, e lirë për të mbrojtur familjen time, e lirë për të mbrojtur fëmijët e mi, sepse nuk kam ku të shkoj tjetër.”, janë fjalët e Dervishit pasi mori vesh dje lajmin e pezullimit.

Kryeministri Edi Rama lidhur me përplasjen te Petro Nini tha se “u provokua qëllimisht irritimi i njerëzve pa u dhënë informacion faktik.”  Rama tha se nuk mund ta zhbëjë vendimin e gjykatës sepse nuk është në kompetencën e qeverisë, por theksoi se policia ka bërë vetëm detyrën pasi ishte thirrur nga Përmbarimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *