Gazetarja e “Le IENE” në Itali, Alice Martinelli, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama duhet t’i përgjigjet akuzave që i bëhen dhe të mos i instrumentalizojë ato politikisht.
Në një intervistë për emisionin “Tempora” në Ora News për gazetaren Sonila Meço, Martinelli tha se në çdo vend tjetër ndodh që protestat e njerëzve për kauza të ndryshme të mbështeten edhe nga politika dhe kjo është normale, por për të është e rëndësishme se studentët dalin në shesh e kryeministri nuk përgjigjet.
Sipas saj, Rama duhet të përgjigjet për varfërinë në rritje të njerëzve që edhe ajo vetë thotë se e ka vënë re gjatë vizitave të saj.
“Sigurisht që me Shqipërinë kemi një lidhje të rëndësishme, nuk është vetëm një vend i afërt gjeografikisht me Italinë, por edhe afër zemrës. Ka shumë shqiptarë prej vitesh në Itali, ka edhe shumë italianë në Shqipëri. Është një lidhje që e njohim tashmë dhe interesi për Shqipërinë është gjithnjë i ndezur.
Në këtë moment historik, interesi është edhe më i madh. Nga Italia na ka bërë shumë përshtypje se si protestat që sot janë të përgjithshme kundër korrupsionit, nisën faktikisht si spontane nga ana e studentëve, që luftonin për të drejtat në arsim dhe kushtet e jetesës në ambientet studentore.
Ato sollën zëvendësimin e një ministri. Ndoshta Edi Rama ka të drejtë, që protesta u mbështet edhe nga një pjesë politike, por kjo është e pashmangshme, në të gjitha vendet, në të gjitha betejat, tek ato për të drejtat në arsim, për të drejtat e grave etj.
Por kjo për ne ka pak rëndësi, pra instrumentalizimi politik i mundshëm i një proteste. Për ne rëndësi ka që studentët dalin në rrugë, zbresin në sheshe dhe që kryeministri nuk u përgjigj. Sipas nesh, të paktën siç e shohim nga jashtë, kryeministri Edi Rama duhet t’i përgjigjet akuzave që i bëhen dhe jo vetëm t’i drejtojë gishtin instrumentalizmimit politik që është i pashmangshëm në kaq beteja aktuale.
Në një vend si Shqipëria, që perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkan sipas organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, Transparency International është shumë e rëndësishme që qeveria të përgjigjet. Duhet të përgjigjet për varfërinë në rritje të njerëzve që ne e prekëm vetë me ardhjen në Shqipëri. Do të qe një sinjal i rëndësishëm nga ana e qeverisë.”, janë fjalët e gazetares.