Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi letër KQZ-së: Antikushtetuese dhënia e mandateve kandidatëve të LSI-së, s’na përfaqësojnë


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, i ka çuar letër KQZ-së, duke e cilësuar antikushtetuese dhe antiligjore dhënien e mandatit të deputetit të kandidatëve të saj, duke qenë se votat në zgjedhjet e qershorit 2017 kanë qenë për partinë dhe jo për individët.

Në letër ajo sqaron se kandidatët që kanë pranuar apo do pranojnë mandatin e deputetit nga kjo forcë politike, janë ç’rregjistruar si pjesë e saj dhe për këtë arsye nuk e përfaqësojnë më këtë forcë politike asgjëkundi.

Letra e Kryetares se LSI Monika Kryemadhi per KQZ

Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Lëvizja Socialiste për Integrim me Vendimin Nr. 2 datë 22.02.2019 të Komitetit Drejtues Kombëtar të saj ka vendosur djegien e mandateve të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë dhe mospjesmarrjen përfundimtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë.

Komiteti Drejtues Kombëtar ka vendosur çregjistrimin si anëtarë të Lëvizjes Socialiste të të gjithë kandidatëve për deputetë të listës shumëemërore të LSI-së të paraqitur prej saj për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 qershor 2017, të cilët thyejnë vendimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe pranojnë mandatin e deputetit.

Çdo invidid i listave shumëemërore të LSI, që pranon mandatin e deputetit nuk përfaqëson as formalisht as ligjërisht dhe as politikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim ,ndaj edhe dhënia e mandatit çdo njërit prej tyre është antikushtetuese dhe antiligjore, pasi në zgjedhjet politike të 25 qershorit në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor qytetarët shqiptarë kanë votuar për partitë politike dhe jo për individet.

Rezultati i arritur nga Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dhënë kësaj partie të drejtën ligjore, që në përputhje me ligjin, të zgjedhë nga lista shumëemërore e LSI përfaqësuesit e saj në parlament, bazuar në radhitjen në listën shumëemërore, të vendosur po nga LSI si parti politike, sipas autoritetit të përfaqësimit, që i jep asaj Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

Përfundimisht ju bëjmë me dije se çdo mandat i dhënë nga KQZ nga lista shumëemërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk përfaqëson absolutisht këtë parti. Çdo individ, që pajiset me mandat deputeti nga KQZ nga kjo listë shumëemërore e LSI është i paligjshëm dhe nuk mund të përdorë në asnjë rast as vullnetin politik, por as atributet formale, ligjore dhe publike të perfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim përfshirë këtu siglën, programin, statutin, emblemën, vulën dhe emrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *