Policia e Shtetit ka reaguar pas lirimit të disa protestuesve nga Gjykata e Fierit, mes të cilëve edhe nëpunësi i Bashkisë Mallakastër Pëllumb Isufaj, i cili sipas policisë goditi me gur në kokë një punonjës policie në krye të detyrës.
Përmes një deklarate, Policia e Shtetit thotë se do të ngrejë padi penale ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Pirro Sota i cili dha vendimin.
“Vendimi i sotëm i gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Pirro Sota, për të liruar nëpunësin e Bashkisë Mallakastër, që goditi me gur në kokë një punonjës policie në krye të detyrës, ka tronditur të gjithë Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota, si dhe do të referojë pranë organeve të Vettingut dokumentacionin që provon absurditetin e vendimit të tij”- thuhet ndër të tjera nga policia.
Ndërkohë nga ana tjetër ka reaguar ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj për deklaratën e policisë ndaj vendimit të gjykatës e cila liroi protestuesin që goditi efektivin e FNSH.
“Kërcënimi me vetting i gjyqtarit te Fierit vetëm pse mbrojti interesin e qytetarëve dhe nuk zbatoi urdhrin politik të trafikanteve që drejtojnë Policinë Politike, është provë e qartë sesi Edi Rama shantazhon dhe kontrollon çdo gjyqtar në vend”-shkruan Alibeaj.