Një ndërtesë tre-katëshe u rrëzua në një shkollë fillore në Lagos të Nigerisë, pak pasi mësimi kishte filluar, duke shkaktuar frikë dhe panik se shumë fëmijë të mitur kanë humbur jetën pasi u zunë nën rrënoja.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme ndërsa raportet e fundit, të bazuara në dëshminë e dëshmitarëve okularë tregojnë se të paktën tetë fëmijë janë nxjerrë nga rrënojat nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Autoritetet në vend druhen se ngjarja mund të ketë pasoja tragjike duke qenë se në këtë shkollë mësojnë të paktën 100 nxënës, por nuk ka ende raporte për viktima.
Qindra banorë të shqetësuar u sulën menjëherë në zonë, pas rrëzimit të ndërtesës duke ndihmuar punonjësit e ekipeve të kërkim-shpëtimi.
“Besohet se shumë persona, duke përfshirë fëmijët janë aktualisht të bllokuar në ndërtesë,” tha Ibrahim Farinloye, zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave, siç citohet nga Reuters.
Ndërtesa përmbante apartamente banimi në dy katet e tjera dhe shkaku i rrëzimit mbetet i paqartë.