Kreu i Partisë demokratike Lulzim Basha ka qenë sot në Elbasan dhe tanimë është rikthyer në Tiranë ku ka nisur takimin me përfaqësues të “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
“Intelektualë, publicistë, artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile, njëkohësisht dua t’i uroj mirëseardhjen përfaqësuesve të opozitës në këtë takim, gazetarëve. Sapo u ktheva nga Elbasani kështu që është me vend edhe një urim për ditën e verës mbarësi për gjithsecilin prej jush, natyrisht për familjen tuaj, për gjithë Shqipërinë dhe Shqiptarët.”, tha Basha.
Pasi dha urimet e tij për Ditën e Verës, Basha tha se është shumë e rëndësishme për të promovimi i rezistencës së artistëve prej më shumë se një viti.
“Për mua është shumë e rëndësishme promovimi i këtij shembulli, i cili për fat të keq është fshirë nga ekranet e mediave kryesore, sa nga mosvlerësimi për sakrificën aq edhe nga kapja e medias që e ka më të lehtë t’i shërbejë interesave korruptive që qëndrojnë prapa shembjes së Teatrit, sesa të ngrejë lart këtë shembull të qëndresës qytetare, që në fakt jep shpresë për një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri tjetër. “, tha Basha.
Kreu i opozitës tha se është i vendosur për ta çuar betejën për mbrojtjen e Teatrit deri në fund dhe shtoi se këtë nuk e sheh vetëm si betejë për largimin e Ramës nga pushteti.
“Ju siguroj se opozita, Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur, që këtë betejë mos ta shohim thjesht dhe vetëm si një betejë për largimin e shkaktarit të kësaj krize, kreut të këtij regjimi por si një mundësi të jashtëzakonshme për të reformuar të gjitha ato aspekte të bashkëjetesës demokratike dhe për ti dhënë fund çdo mundësie për pengmarrje të qeverisjeve të ardhshme nga interesa kriminale oligarkike apo interesa të tjera që kanë marrë peng zhvillimin demokratik sipas standarte, normave dhe vlerave europiane.”, tha Basha.