Një aksident ka ndodhur sot në mëngjes në aksin Fushë-Krujë-Tiranë.
Mësohet se një automjet tip “Benz” me targa të Tiranës ka përplasur një këmbësor, në afërsi të fshatit Arameras.
Si pasojë e këtij aksidenti, këmbësori ka humbur jetën. Ai nuk është identifikuar ende ndërsa mendohet të jetë rreth moshës 50 vjeç.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës, ndërsa shoferi i mjetit është shoqëruar nga policia.
Ky nuk është aksidenti i parë që ndodh në këtë aks, e në veçanti në këtë pjesë të rrugës.
Në një rreze prej 500 metrash nga vendi ku ndodhi aksidenti, kanë humbur jetën mbi 10 persona gjatë dy viteve të fundit dhe janë plagosur mbi 20 të tjerë.