CIA mund të ketë rol në sulmin që ndodhi në ambasadën e Koresë së Veriut në Spanjë. Nëse kjo konfirmohet, kjo ngjarje mund të çojë në një konflikt midis Spanjës dhe SHBA-së.
Mediat spanjolle shkruajnë se të paktën dy nga 10 autorët, të cilët hynë në ambasadë, janë identifikuar dhe rezultojnë të lidhur me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës.
“El Pais” shkruan se “spiunët amerikanë” e kanë mohuar përfshirjen e tyre në ngjarje, ato ishin mjaft “jo-bindës”, sipas burimeve qeveritare për gazetën.
Nëse roli i CIA-s në çështje konfirmohet, kjo mund të çojë në një shpërthim të madh diplomatik midis Madrid-it dhe Washington-it, pasi kjo nuk është ajo çfarë pret nga një “aleat”.
Incidenti i çuditshëm ndodhi më 22 shkurt, kur një grup njerëzish sulmuan misionin e Koresë së Veriut në Spanjë, të vendosur në Madrid.
Sulmuesit lidhën personelin dhe më pas rrëmuan nëpër ambasadë për rreth katër orë, duke vjedhur kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike.
“RT” shkruan se një nga punonjësit arriti të shpëtojë dhe lajmëroi fqinjët, të cilët thirrën policinë. Kur erdhën policët, u mirëpritën nga një njeri, i cili u tha se gjithçka shkonte mirë me misionin diplomatik.
Por më pas të dyshuarit u larguan me dy automjete të vjedhura, të cilat më vonë i braktisën.
Policia pastaj zbuloi stafin e ambasadës, të cilët ishin të lidhur, të plagosur dhe kishin qese në kokat e tyre. Disa diplomatë kërkuan kujdes mjekësor pas incidentit për shkak të lëndimeve të lehta.