Vendosni fjalën kyçe....

Doganat grumbullojnë 7.6 milionë euro më pak se vjet në janar


Plani i të ardhurave buxhetore shfaqi dobësi të theksuar gjatë muajit janar, teksa arkëtimet totale shënuan rënie vjetore më së paku 2.4 %, por të dhënat e detajuara tregojnë se rënia është shkaktuar tërësisht nga doganat, ku të ardhurat nga TVSh dhe akciza kanë pësuar rënie të ndjeshme në raport me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare doganat grumbulluan gjatë muajit janar 10.4 miliardë lekë ose 958 milionë lekë (7.6 mln euro) më pak, se një vit më parë.

Rënien më të madhe e kanë shënuar arkëtimet nga TVSH-ja, të cilat ishin 772 milionë lekë më të ulëta se një vit më parë. Vitin e kaluar Ministria e Financave arsyetoi se arkëtimet nga doganat sidomos TVSH-ja janë ndikuar negativisht forcimi mbiçmimi i monedhës vendase në këmbim me euron.

Rezultatet e janarit tregojnë se të ardhurat kanë akciza janë vënë në trend renës. Në janar arkëtimet nga ky tatim ranë me 144 milionë lekë në raportin me janarin 2018.

Rënie shënuan edhe të ardhurat nga taksa doganore dhe të ardhurat e tjera doganore. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave gjatë muajit janar janë arkëtuar gjithsej 34.5 miliardë lekë, nga 35.3 miliardë që u grumbulluan në janarin 2018 me një rënie 2.4%.

Planin e të ardhurave fiskale e ndikuan për keq edhe arkëtimet jo tatimore. Ky grup të ardhurash që përfshin dividendin dhe të ardhura nga institucionet buxhetore shënoi rënien më të madhe me 9.7%. Ndikimin më të madh e dhanë arkëtimet buxhetore të cilat ishin 8 milionë euro më të ulta se në janarin 2018 ose 57 për qind më pak.

Gjithashtu u zbehen ritmet e rritjes ne të ardhurat nga sigurimet shoqërore. Edhe pse ekonomia dhe punësimi janë rritur me ritme të përshpejtuara të ardhurat nga ky zë janë rritur me vetëm 1.6 për qind.

Intensiteti i lartë i përjashtimeve tatimore, komplikimi i ligjeve fiskale, frenimi i rritjes së arkëtimeve buxhetore, rikthimi i detyrimeve të prapambetura dhe angazhimi i PPP-ve me vlerë 1 miliard euro po rrezikojnë ta çojnë në një trajektore të pasigurt afatgjatë stabilitetin fiskal të vendit.

VINI RE: Ky material është pronësi inelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *