Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka folur nga Elbasani, ku ka deklaruar se politika nuk ekziston më në Shqipëri.
Ajo theksoi se nëse do kishte politikë vendi nuk do kishte mbërritur në këtë gjendje, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe pa një parlament legjitim.
Kryemadhi uroi shqiptarët për Ditën e Verës ndërsa tha se politika ka menduar vetëm për një grup njerëzish dhe kjo duhet të ndryshojë.
“Mund të them që kjo ditë nuk ka lidhje fare me politikën, politika nuk ekziston më se po të ekzistonte politika në Shqipëri, sot ne do të kishim, institucionet e ngritura në këmbë, do të kishim gjykata, do të kishim gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, do të kishim një Parlament legjitim, do të kishim një klasë politike të përgjegjshme, do të kishim një ekonomi më të mirë për shqiptarët, do të kishim mundësi më të mira për shqiptarët, arsimim më të mirë, shëndetësi më të mirë, taksa më të ulëta, energji elektrike më të lirë, çmime më të ulëta dhe do të kishim më shumë vende pune për shqiptarët, po të ishte politika, politika do të kishte menduar për këtë gjë, por pikërisht sepse nuk ekziston politika sepse politika ka dalë nga shinat e saj, politika ka menduar vetëm për një grup njerëzish.
Sot nuk ka politikë, politika nuk është as e ngrirë dhe as e shkrirë, politika sot nuk ekziston, prandaj dhe në këtë ringjallje të jetës që simbolizon Dita e Verës, të ringjallet edhe politika, të ringjallen vlerat, të ringjallen parimet dhe të ringjallen ato principe për të cilët shqiptarët aspirojnë dhe çdo njeri nga ne do të dëshironte ti zbatonim tek fëmijët e tyre. Faleminderit dhe Gëzuar.” – tha Kryemadhi.