Në takimin e sotëm me kreun e PD-së, aktori Neritan Liçaj ka kërkuar nga politika politika mbështetëse për artistët dhe artin.
Liçaj tha se në vend mungon një ligj i mirë për artin dhe ka problematika ligjore që pengojnë artin e bërjes së një arti të mirë.
Aktori shtoi se ndihet krenar që ka qenë pjesë e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, sepse sipas tij kjo qëndresë ka përmbysur keqpolitikën për herë të parë në historinë e vendit.
“Dua t’i bëj një apel të madh politikës së vendit tim, majtas dhe djathtas. Ne duam që të hyjmë në Europë dhe me të drejtë. Jemi një nga popujt më të vjetër europianë, pavarësisht se nuk jemi në BE.
Por politika duhet të kuptojë një gjë, ne nuk duhet të hyjmë në Europë vetëm me zhvillim ekonomik, punësim. Janë shumë të rëndësishme e bazike dhe duhet të ishin bërë deri më tani.
Ne duhet të hyjmë në Europë me një kulturë dhe civilizim tonin, pra duhet të hyjmë në Europë si shqiptarë dhe këtë e bën arti, kulturat, shkenca, sporti, mediat. Janë ato që e pasurojnë qytetarin.
Dhe vetëm duke pasur një qytetar më të mencur mund të pretendojmë për një shoqëri moderne. Nëse nuk kuptohet kjo atëhere vendi do të shkojë gjithmonë në këtë tallavi ardhje e vajtjeje duke mos zgjidhur asnjë problem. Prandaj mendoj se problemet për artin dhe kulturën janë probleme që duhen zgjidhur.
Sigurisht artin e bëjnë artistët, as politika as qeveritë. Por politika dhe qeveritë duhet të ndryshojmë qasjen për kulturën. Arti dhe kultura është kuqezi, nuk është ngjyrim partiak. Politika të kuptojë se duhet të bëhet ndihmëse e artit. Si? E thjeshtë, duke bërë ligje të mira. Kemi kaq vite pa një ligj të mirë për artin. Gjithë ky akumulim i problematikave në vite shkarkohen në institucione. Ka problematika ligjore të jashtëzakonshme të cilat pengojnë bërjen e artit të mirë nga artistët. Është shtimi i infrastrukturës, sepse nesër-pasnesër nëse bëhet marrëveshja e Stabilizim – Asociimit dhe bëhet ftesa për t’u bëjë pjesë e BE-së do vihet kusht nga europa “një teatër për 80 mijë banorë”. Janë standartet europiane, kështu që ti një ditë do i bësh.
Një artist i mirë mund të jetë opozitari më i mirë i çfarëdo lloj politike, qeverisje. Ia vlen të kesh një opozitar artist sesa çdo politikan. Çdo politikë kjo do e shëndoshte. Janë gjëra që politika e ka për detyrë që t’i bëjë. Politika duhet të ndihmojë artistin sepse artisti ndihmon qytetarin. Jo të më përkëdhelë mua sepse unë dua të përkëdhelem. Absolutisht jo. Duhen politika ndihmëse sepse arti është shumë i rëndësisishëm në shtyllën kurrizore të një vendi. Unë qeverinë e kam akuzuar publikisht për politika antikombëtare. Sepse të shkatërrosh artin dhe kulturën e vendit tënd ke shkatërruar kombin tënd dhe kjo është e pafalshme.
Jam shumë krenar, që kam qenë në këtë protestë të gjatë, të vështirë por shumë të bukur. Sepse për herë të parë në historinë e këtij vendi arti përmbysi keqpolitikën dhe për këtë do jem krenar deri ditën që do mbyll sytë.”, tha Liçaj.