Ambasada Amerikane ka mbajtur qëndrim lidhur me protestën e nesërme të opozitës. Pasi bëri thirrje për protesta paqësore, Ambasada Amerikane në Shqipëri shpreh hapur qëndrimin e saj pro qeverisë dhe kundër opozitës lidhur me mandatet e djegura.
Ndryshe nga reagimet e mëparshme për protestat, inkurajon kandidatët në listat e PD-së dhe LSI-së të cilët kanë pranuar mandatet duke thënë se kanë mbështetje.
“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht. Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ka ende punë për të bërë. Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre. Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”, thuhet në njoftimin e konsullatës.
Pavarësisht se vazhdon ende debate nëse një konsullatë e huaj duhet të ndërhyjë apo jo në politikën e brendshme të një vendi, ambasada amerikane në vendin tonë nuk është hera e parë që e bën këtë.