Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë nuk shkon me “Boeing 737 Max 8”?


 

Incidenti i parë ka ndodhur më 29 tetor 2018. Vetëm dymbëdhjetë minuta pasi një avion “Boeing 737 Max 8” i linjës ajrore indoneziane pothuajse krejt i ri u nis, filloi të zhytet me shpejtësi në Detin Java, duke marrë jetët e 189 njerëzve.

Më pak se pesë muaj më vonë, më 10 mars 2019, një tjetër “Boeing 737 Max 8”  i Linjws ajrore tw Etiopisë gjashtë minuta pasi u ngrit nga aeroporti Addis Abeba, u përplas në tokë me shpejtësi 700 kilometra në orë (435 milje në orë). Kjo përplasje vrau 157 njerëz.

Çfarë nuk shkon me Max 8?

Askush nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur në Etiopi. Vetëm një analizë e regjistruesve elektronikë të të dhënave të fluturimit, të cilat u gjetën këtë të hënë, do të japin një përgjigje reale.

Megjithatë, paralelet midis dy aksidenteve janë të dukshme: Pilotët e të dy aeroplanëve luftuan pa sukses për t’u ngritur në lartësi. Po ashtu, të dy donin të ktheheshin në aeroport për shkak të çështjeve teknike. Por asnjëri nuk e bëri atë.

Pilotët e avionit në Indonezi me sa duket u përballën me disa probleme, sipas hetuesve.

Më e keqja ishte softueri jofunksional, ekzistenca e të cilit nuk ishte përmendur as në manualin e aeroplanit.

Softueri shkaktoi rënien pikiatë të avionit, të cilën pilotët ishin të pafuqishëm ta ndalonin.

Pas dy incidenteve të tmerrshme në më pak se pesë muaj, modeli më i fundit i Boeing është nën dyshim.

Deri të mërkurën, 40 vende kanë ndaluar të gjitha fluturimet e “Boeing 737 Max 8” nga hapësira e tyre ajrore, duke përfshirë çdo anëtar të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët e SH.B.A.-së, nga ana tjetër thonë se “Max 8” është ende i sigurt për të fluturuar.

Boeing po shkon drejt katastrofës më të madhe në historinë e saj. Linjat ajrore të botës kanë porositur më shumë se 5.000 “Max 8”. Megjithëse asnjë porosi nuk është anuluar ende, reputacioni i avionit është njollosur. Të hënën, çmimi i aksioneve të Boeing u ul me më shumë se 10 për qind.

Sipas “Spiegel Online”, në mënyrë që të jetë konkurues, që nga viti 1968 Boeing e ka përmirësuar modelin e vjetët të 373-it, duke e bërë më ekonomik, duke i rritur madhësinë, apo eficencën.

Mirëpo inxhinierët që janë marrë me të, sipas gazetës gjermane e dinin shumë mirë se po bënin kompromise të cilat nuk do i kishin toleruar kurrë në një model më të ri avioni. Pasojat e kësaj tani mund të zbulohen.

Zgjidhje të përkohshme jocilësore

Kur Boeing filloi zhvillimin e “Max 8” në vitin 2011, një gjë ishte e qartë: Motori do të furnizohej nga një motor shumë efikas i karburantit i njohur si Lean, i prodhuar nga kompania “CFM”.

Rivalja e Boeing, Airbus, gjithashtu kishte pajisur A320neo-in e saj me të njëjtën pajisje shtytëse.

Një nga arsyet pse motori i Lean është aq ekonomik është sepse futja e ajrit ka një diametër të madh: 198 centimetra (6.5 këmbë). Ndërkohë që Airbus A320neo ka mjaft hapësirë ​​për një motor të tillë, pajisja ulëse në Max 8 është e shkurtër, duke kufizuar hapësirën nën krahët e avionit. Motori thjesht nuk përshtatet.

Për të gjetur një zgjidhje, inxhinierët e Boeing hodhën idenë e shkurtimit të strukturës së montimit të motorit, i cili i fikson motorët e rëndë në pjesën e poshtme të krahëve.

Kjo bëri punën, por erdhi me kosto serioze në mekanikën e fluturimit të avionit. Si rezultat, Max 8 rriti në mënyrë të rrezikshme atë që e quajmë hundën e avionit.

Në rrethana të rralla dhe ekstreme, avioni kishte shanse të mëdha për t’u rrëzuar. Inxhinierët e Boeing kështu improvizuan një zgjidhje. Ata zhvilluan një softuer që do të funksiononte në sfond.

Sapo hunda e avionit të tregonte për lart, sistemi do të aktivizonte automatikisht bishtin e avionit për ta bërë atë të sigurtë duke e balancuar.

Pilotët as nuk do ta vërenin ndërhyrjen e softuerit – të paktën kjo ishte ideja. Boeing as nuk e konsideroi të njoftonte pilotët për softuerin e ri.

Premtimi i pambajtur

Por inxhinierët e Boeing mesa duket nuk e kanë konsideruar se softueri i ri “MCAS” ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm, siç dëshmohet nga rrëzimi i Lion Air.

Sensorët vazhdimisht monitorojnë pozicionin e avionit kur fluturojnë në ajër. Mjafton që një sensor i vetëm të mos funksionojë dhe të raportojë gabimisht se këndi i avionit është tepër i lartë; pas kësaj, MCAS automatikisht ul hundën.

Pilotët as nuk e dinë se çfarë po ndodh me ta. Ata mund të mundohen sa të duan, por kompjuteri vazhdon të punojë kundër tyre, duke e bërë rrëzimin të pashmangshëm.

Pas rrëzimit të Lion Air, Boeing njoftoi se do të përditësonte softuerin në fillim të vitit 2019. Deri më tani, asnjë përditësim i tillë nuk është bërë.

Fjala e fundit nga Boeing ishte se azhurnimi i softuerit do të ishte në dispozicion në prill.

Tani, Boeing është nën presion edhe më të madh. Nëse hetuesit konfirmojnë se avioni etiopian ishte viktimë e “MCAS”, autoritetet mund të tërheqin edhe licencën e tanishme të Max 8.

Menaxherët në Boeing e dinin prej kohësh që edhe inxhinierët më të mirë në botë nuk do të ishin në gjendje ta zgjasin jetën e 737-it pafundësisht.

Boeing kishte planifikuar të prezantojë një model të ri avioni deri në vitin 2030. Por, si rezultat i krizës aktuale, kompania mund të mos ketë zgjidhje tjetër përveçse ta nxjerrë sa më shpejt modelin e ri.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Spiegel/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *