Vendosni fjalën kyçe....

Kur të zë fama rrotën


Qëkur pranuan mandatet e djegura të opozitës, disa prej deputetëve të rinj duket se kanë fituar një vëmendje të madhe mediatike dhe ndryshe nga më parë tani i shohim pothuajse në çdo studio televizive.

E nisim me Ylli Shehun, kandidatin e LSI-së që mori mandatin e Floida Kërpaçit dhe u betua më 5 mars në Kuvend. Me të dalë nga seanca plenare, dhjetëra mikrofonë iu drejtuan Shehut vetëm për të marrë një prononcim nga ai.

“Vota ime është kundër qeverisë. Nuk jam tradhtar nuk i tradhtoj mijëra qytetarë që më votuan edhe në 2013 me PR dhe tani me LSI. Nëse LSI më përjashton është vendimi i tyre”, tha Shehu.

Lefter Maliqi është kandidati i PD-së që u betua në Kuvend këtë të mërkurë, duke marrë mandatin e deputetit. Por akoma pa kaluar pak orë nga betimi, gazetarët nisën ta ftonin nëpër emisione.

Më 14 mars, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Maliqi tha se opozita e drejtuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, nuk është opozita reale, pavarësisht se ai vetë është bërë deputet vetëm pse ndodhej në listat e PD-së.

Në të njëjtën ditë, Maliqi ka qenë i ftuar edhe në një tjetër studio televizive, “A2 CNN”, ku pasi u rehatua në karrigen e tij, tha se votuesit e Beratit i kishin besuar vetëm atij duke e konsideruar mandatine  tij personal.

“Kam mandat personal, mos më shumë, se prandaj më lutet politika.”, tha Maliqi, i cili shtoi se kishte kthyer tre komuna socialiste në demokrate.

Alban Zeneli nga lista e Partisë Demokratike ka zëvendësuar Flamur Nokën si deputet në Qarkun e Kukësit, pavarësisht se ai fillimisht ka firmosur lënien e mandatit në bllok. Por pasi Zeneli ndërroi mendje dhe u bë deputet, mikrofonët gjithashtu u drejtuan nga ai.

“Më 5 mars kam thënë që qeveria Rama duhet të ikë një orë e më përpara. Nuk i heq asnjë presje atij mendimi.””

I vetmi ndryshim është se unë mendoj se: Interesat e qytetarëve që na kanë votuar, unë si Alban mund t’i mbroj më mirë brenda Parlamentit shqiptar me statusin e Parlamentit, sesa në rrugë.”, tha Zeneli.

Në mediat pranë qeverisë sugjerohet shumë për krijimin e një opozite të re, ashtu sikurse edhe vetë kryeministri Rama ka deklaruar seancën e kaluar në Parlament.

Pjesë e kësaj opozite të re, nuk janë vetëm ema të padëgjuar më parë si Maliqi, Shehu apo Zeneli, por edhe deputetët që nuk hoqën dorë nga mandati, si Lefter Koka, Myslym Murrizi apo Rudina Hajdari.

Kjo e fundit, u mendua gjatë para se të deklaronte publikisht se kishte vendosur të mos e digjte mandatin e saj.

Lajmin ajo zgjodhi ta bënte publik jo në një media shqiptare, por te Zëri i Amerikës. “Parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin, prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri e lartë që ndjej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament është vendimi i duhur që i shërben të ardhmes së Shqipërisë.” – tha Hajdari.

Që pas deklaratës së saj, edhe pse nuk ka shkuar nëpër studiot televizive është diskutuar vetëm për të dhe sipas Robert Rakipllarit ai po mundohet të krijojë një parti politike të re.

Kështu me të drejtë apo pa të drejtë, deputetë që jeni opozitë në Parlament – E gjithë vëmendja për ju!/Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *