Meta nderohet me Titullin “Doctor Honoris Causa” nga Akademia e Administratës Publike të Azerbajxhanit
Gjatë vizitës së tijn në Azerbajxhan, presidenti Ilir Meta, u nderua me Titullin “Doctor Honoris Causa” nga Akademia e Administratës Publike të Azerbajxhanit.
Presidentit Meta ia dorëzoi titullin në emër të Akademisë dhe në prani të profesorëve e studentëve të Akademisë, rektori i saj Dr. Urkhan Kazim oglu Alekperov.
Në fjalën e tij, Alekperov, vlerësoi rolin e veçantë të Metës në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Ndërsa, Meta nga ana tjetër e konsideroi titullin si shenjë mirënjohje dhe vlerësimi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe reflektim të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve.
Në mënyrë të veçantë, Meta vlerësoi se në dekadën e fundit marrëdhëniet midis dy vendeve janë intensifikuar shumë dhe realizimi i projektit TAP i ka dhënë mundësi e dimensione të reja këtij bashkëpunimi.
Meta nënvizoi se përtej marrëdhënieve ekonomike, një vëmendje më e madhe i duhet kushtuar shkëmbimeve kulturore dhe eksperiencave akademike midis dy vendeve.
“Nxitja e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit dhe të kulturës dhe kontakteve të drejtpërdrejta mes studentëve, akademikëve e qytetarëve të të dy vendeve është investimi më i madh e afatgjatë”, – theksoi Presidenti Meta.
Gjatë takimit, Meta kërkoi gjithashtu që të shihej mundësia e heqjes së vizave nga Azerbajxhani për qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kjo do të lehtësonte lëvizjet dhe kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve të të dy vendeve.