Vendosni fjalën kyçe....

Schmidt për krizën politike shqiptare: Qeveria mban përgjegjësi!


Raportuesi i Shqipërisë në Komisionin e Jashtem, gjermani Christian Schmidt, ka deklaruar se qeveria mban përgjegjësi për situatën aktuale në Shqipëri.

 “Kjo nuk është normale. Parlamenti jeton nga debati. I takon qeverisë që të garantojë bashkëpunimin parlamentar”, tha ish-ministri gjerman në një prononcim për “Deutche Welle”.

Schmidt është që nga fillimi i vitit raportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në Bundestag, njëri nga komisionet që vendos për çeljen e negociatave në BE.  Ai shtoi se së shpejti planifikon të shkojë vetë në Shqipëri për t’u informuar vetë për gjendjen.

“Veçanërisht dua të shoh se sa përfshihet opozita në procedurat parlamentare”, tha ai.

Sipas Schmidt, vendimi i Gjermanisë për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit të Bashkimit Evropian që do të publikohet më datën 29 maj.

Por për të dhënë miratimin përfundimtar në Këshillin e BE-së, më 19 qershor, Gjermanisë do t’i duhet që të marrë aprovimin e Bundestagut. 

Schmidt ka folur gjithashtu për çështjen e ndryshimit të kufijve  mes Kosovës dhe Serbisë, cështje për të cilën është shprehur kundër.

Christian Schmidt, tha për DW se ai nuk e favorizon kurrsesi këtë opsion.

 “Në të gjithë Ballkanin nuk gjen një territor të pastër etnikisht, prandaj nuk e kuptoj këtë idenë e shkëmbimit të territoreve mbi baza etnike,” – tha Schmidt për DW. 

Gjermani shtoi se kjo nuk është një çështje që u përket vetëm dy vendeve, por se duhen pyetur edhe fqinjët, ndërsa paralajmëroi Shqipërinë që të mos e ngatërronte më keq diskutimin duke përdorur retorika dhe simbolika që favorizojnë një vizion shqiptaro-madh.

Sipas Schmidt, kush hyn në BE, duhet të tregohet i kujdesshëm me këmbime territoresh.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *