Vendosni fjalën kyçe....

Tritan Shehu: Pa Gjykatë Kushtetuese, jemi në kushtet e një grushti shteti


Ish-deputeti I PD-së Tritan Shehu beson se jemi në kushtet e një grushti shteti. Sipas tij, pa një Gjykatë Kushtetuese aktualisht vendi është nën një grusht shteti kundër demokracisë. Sipas tij, ka vetëm një një zgjidhje: fillimi i procedurave për zgjedhje të reja mbi një platforme të pranueshme.

“Aktualisht Shqipëria, pa Gjykatën Kushtetuese, është nën një Grusht Shteti kundër demokracisë!

Procedura e tanishme e zëvendësimit të mandateve të deputetëve, të dorëzuara këto në grup si opozitë, nuk ka asnjë bazë ligjore e kushtetuese.
Veprimet e Kuvendit të Shqipërise në lidhje me ketë nuk janë të pajtueshme as edhe me procedurat ligjore për rastet individuale.

Vendimet e KQZ për zëvendesimin e këtyre mandateve bien ndesh edhe me vendimin e vitit 1993 të Gjykatës Kushtetuese, për zëvendësimin jashtë vullnetit të partisë të tre mandateve të PD në atë periudhë.

Tentativa për të quajtur funksional Kuvendin me një përbërje shumë më të vogël deputetësh se 140 nuk ka asnjë bazë ligjore për numrin minimal të deputetëve të domosdoshëm.

Në kushtet kur e gjithë kjo procedurë thelbësore për demokracinë kryhet në mungesën prej me së një viti të Gjykatës Kushtetuese, e vetmja që mund të legalizojë apo jo këto veprime, krijohen tiparet e një Grushti Shteti.

Në fakt në të gjthë këtë periudhë Vendimet e Kuvendit, të Qeverisë etj, kanë qenë të pa ligjëshme, për derisa askush nuk mund t’i apelonte ato në atë Gjykatë.

Në këto kushte ka vetëm një zgjidhje politike, ligjore e kushtetuese: fillimi i procedurave për zgjedhje të reja mbi një platforme të pranueshme.
Në të kundërt ideatorët e aplikuesit e këtyre akteve duhet të akuzohen për tentative për Grusht Shteti të qeverisjes ndaj demokracisë e ky duhet përballuar si i tillë.”, shkruan Shehu.

Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga shqetësimet kryesore të opozitës dhe e ka denoncuar disa herë këtë rast.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *