Vendosni fjalën kyçe....

Basha mbyll protestën me paralajmërimin: Protesta çdo ditë e çdo natë!


Pasi tërhoqi protestuesit për t’i larguar nga godina e Parlamentit, Lulzim Basha nuk vazhdoi drejt Kryeministrisë siç mendohej por u ndal në selinë blu ku mbajti një fjalim përmbyllës.

Basha deklaroi se protesta e sotme do të vijonte çdo ditë e çdo natë në çdo qytet e fshat, në çdo shtëpi të shqiptarëve.

Kryedemokrati i tha protestuesve që të mos kthejnë faqen kur sulmohen nga policia, por t’i kthehen mbrapsht në të njëjtën mënyrë. Sipas Bashës dita e sotme ishte dita e bashkimit më të madh në histori.

“E sotmja hyri në historinë tonë si dita e dytë e zgjimit kombëtar. Si dita e bashkimit më të madh që kanë njohur shqiptarët në historinë e tyre dhe për këtë çdo shqiptar sot dhe çdo brez që vjen ju ka një borxh ju, misionarëve të lirisë, misionarëve të demokracisë, misionarëve të Shqipërisë si gjithë Europa.

Sot më në panik se kurrë kufoma politike e Edi Ramës dhe klikës së tij kriminale, përshkallëzoi dhunën e paprovokuar ndaj protestuesve, me të vetmin qëllim, për t’i shpërndarë, për t’i larguar nga rruga e protestës. Por përgjigjen e mori nga populli.

Duart e gjata të krimit, që për llogari të kriminelëve dhunojnë motrat, nënat, baballarët, do të japin përgjegjësi përpara ligjit dhe zotohem për këtë përpara jush dhe gjithë Shqipërisë.

E gjithë Shqipëria dhe gjithë bota e ka parë sot vendosmërinë e popullit të bashkuar për t’i dhënë fund politikanëve të lidhur me krimin. Dita për tu’ vënë para drejtësisë po afron.

Pa vendosmërinë tuaj qytetare, ju huliganë mbrojtës të demokracisë, sot ky vend do ishte rreshtuar përkrah shumë kombeve pa fat e pa të ardhme. Këtë rrugë kishte nisur Edi Rama për shqiptarët por ne e kemi ndalur dhe do ta hedhim në lumë.

Nuk ka rrugë tjetër për të rikthyer demokracinë, përveç protestave popullore. Jemi shumë më shumë sot me 16 mars. 16 shkurti i hapi rrugën një vërshimi popullor që nuk do ndalet më kurrë por do të vazhdojë kundër një grushti kriminelësh në pushtet.

Dua t’i drejtoj në emrin tuaj, me mbështetjen tuaj, një mesazh të qartë miqve tanë perëndimor, nuk ka stabilitet poa demokraci, nuk ka stabilitet pa drejtësi, pa barazi përpara ligjit. Degjojini më pak autokratët e korruptuar dhe të inkrminuar.Ftesa ime sot është mos e dëgjoni autokratin e korruptuar, dëgjoni zërin e qytetarëve.

Edi Rama kishte vënë bast se protesta e sotme do ishte më e vogël se më 16 shkurt por u fshihet tuneleve në Poliçan si një mi i vërtetë.

Kjo që kemi nisur nuk do të zvogëlohet, nuk do të mpaket, ne nuk do përçahemi, nuk do e ulim kokën, nuk do pranojmë kurrë një qeveri jolegjitime, nuk pranojmë një Parlament që ia ka marrë të keqen pazarit të Milotit. Beteja vazhdon e do të vazhdojë, ne do ta vazhdojmë në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo shtëpi, në çdo fshat të vendit tonë, derisa të hapim derën e Europës, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Pengesa e vetme është kjo qeveri kriminale dhe kryehajduti ka 5 javë që nuk gjen vrimë miu të fshihet sa herë që shqiptarët bashkohen. Le ta bëjmë protestën tonë të përditshme e të përnatshme. Në Europë shkohet vetëm me zgjedhje të lira, duke i dhënë fund padrejtësive, kjo është rruga që do të çlirojë ekonominë, do garantojë ëndrrat e shqiptarëve për vogëlushët e tyre, për rininë shqiptare.

Ditë për ditë e natë për natë, në aksion qytetar, në protestë, në përballje, mos e ktheni faqen tjetër kur ju godasin horrat e shtetit por goditini mbrapsht. Qëndroni të bashkuar, e gjithë bota e di se ky rrugëtim ka vetëm një fund, fitoren e popullit të bashkuar.

Vendosmëria e këtij misioni të madh shqiptar, Shqipëria e bashkuar ka për të fituar, fund qeverisë së hajdutëve. Rroftë Shqipëria, Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë shqiptarët.”, tha Basha./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *