Liga e Basketbollit të Koresë së Jugut, ka larguar një lojtar të huaj, me arsyetimin se ‘është më i gjatë se sa duhet’.
“BBC” shkruan se që kur u vendos kufiri i ri për gjatësinë, basketbollistët në Korenë e Jugut po përpiqen në mënyrë dëshpëruese për t’u shkurtuar.
Duket absurde kjo, për shkak se basketbolli është një sport në të cilin në çdo vend tjetër të botës, je i favorizuar nëse je i gjatë.
Por BBC e konsideron këtë vendim të basketbollit korean, thjesht si një justifikim për të larguar basketbollistët e huaj.
Çfarë ka ndodhur?
Çdo ekip në Korenë e Jugut mund të ketë vetëm dy lojtarë të huaj. Duke filluar nga sezoni 2018-2019, një nga këta lojtarë nuk duhet të jetë më i gjatë se 200 cm, ndërsa tjetri nuk mund të jetë më i gjatë se 186 cm.
Me vendosjen e këtij rregulli, u desh të largohej një nga lojtarët më të njohur të vendit, një amerikan i quajtur David Simon. Me 202 cm, ai kishte humbur për vetëm 2 milimetra.
“Isha pak i mërzitur”, tha Simon për programin e OS në BBC.
“Të jesh kaq afër dhe të mos ia dalësh dot, ta shpif. Duket se unë nuk do kthehem më atje të luaj, nëse ata nuk i ndryshojnë përsëri rregullat”, shprehet Simon i cili kishte kryesuar në sezonin e mëparshëm të basketbollit, por me rregullat e reja u detyrua të kthehej në shtëpi në SHBA, duke zhgënjyer tifozët.
Pse ka ndodhur kjo?
BBC shkruan se nuk është hera e parë që kjo ka ndodhur. Në fakt, Koreja ka pasur një limit të lartësisë për lojtarët e huaj që nga viti 1997, por limiti i ri është më i shkurtri që është imponuar ndonjëherë.
Por sipas Ligës së Basketbollit në Kore, kjo është bërë për të mbrojtur lojtarët vendas të cilët janë më të shkurtër se sa amerikanët.