Ka nisur zyrtarisht protesta e opozitës. Qytetarët që po prisnin te “Sheshi Skënderbej” kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë nën thirrjet “Rama ik!”.
Kur akoma nuk kishte nisur zyrtarisht protesta, një protestues është shoqëruar nga policia.
Sipas gazetares Klodiana Lala, protestuesi që kishte mbërritur për protestën në Bulevardin para Kryeministrisë, ka përdorur fjalë fyese ndaj efektivëve të policisë.
Ende nuk dihet identiteti i protestuesit, por ai momentalisht po merret në pyetje dhe mund të lirohet.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, dyert e Kryeministrisë sot janë salduar me llamarina. Po ashtu sot nuk ka më një tendë të instaluar, por saldim me llamarina edhe në pjesën lart derës kryesore.
Gjatë mbrëmjes, rreth e rreth Kryeministrisë është vendosur një rrethim hekurash.
Si në protestat e mëparshme, rreth 1600 efektivë janë angazhuar për protestën e sotme. Forcat e policisë janë vendosur në dy anët e Kryeministrisë, si nga ana e Piramidës ashtu edhe nga Rogner.
Makinat, blindat e autobotet janë vendosur në pjesën e prapme të Kryeministrisë.
Sakaq janë vendosur kamera me rezolucion të lartë në shtyllat e ndriçimit. Sipas gazetares Klodiana Lala ka raste që janë vendosur madje edhe tre kamera në një shtyllë të vetme. Shtyllat janë lyer me graso në mënyrë që protestuesit të mos ngjiten dot për të dëmtuar kamerat.
E rrethuar është dhe gjithë pjesa e lulishtes pranë Kryeministrisë./Hashtag.al