Protesta e sotme e zhvilluar nga opozita është ndjekur hap pas hapi jo vetëm nga mediat shqiptare por edhe nga ato ndërkombëtare. Madje “Zëri i Amerikës” e ka raportuar atë live.
Media si ZDF, Euronews, Reuters, Washington Post, Deutche Welle, New York Times etj, kanë shkruar se si mijëra protestues janë mbledhur sot përpara Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Mijëra mbështetës të opozitës së qendrës së djathtë, të udhëhequr nga Partia Demokratike, u mblodhën të shtunën para zyrës së kryeministrit socialist Edi Rama për të kërkuar dorëheqjen e tij”-thuhet në shkrimin e “Washington Post”.
Protesta e cila fillimisht nisi në mënyrë paqësore, në marshimin e tretë tek Parlamenti ka agravuar në një përplasje mes protestuesve dhe policisë e cila përdori gaz lotsjellës dhe autobotët e ujit për të shpërndarë turmën.
NYT shkruan se si opozita nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të ngrihej në protesta, duke iu referuar fjalëve të kruedemokratit Lulzim Basha.
“Ne nuk kemi alternativë tjetër, përveçse të protestojmë derisa të sjellim demokracinë dhe zbatimin e ligjit”, citohet Basha.
Po ashtu në mediat ndërkombëtare përmendet dhe mesazhi që Basha u dërgoi diplomatëve të huaj. “Ftesa ime për të gjithë ata është të dëgjojnë më pak autokratin e korruptuar Edi Rama. Dëgjoni zërin e popullit.”