Konfliktet mes Indisë dhe Pakistanit janë rindezur sërish, pasi rebelët e zyrtarët nga të dyja shtetet kanë pretendime për Kashmirin. Për të mos pasur kaq shumë konflikt mes palëve, ka “ndërhyrë” edhe SHBA. John Bolton, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se kriza duhet të mos bëhet edhe më e rëndë nga se është aktualisht.
India ka kërcënuar se do të lëshojë së paku 6 raketa në drejtim të Pakistanit dhe kryesisht në drejtim të Islamabadit e se do të përgjigjet ndaj “sulmeve të jashtme” tre herë më tepër nga se kërcënohet, kanë thënë burime diplomatike në Nju Delhi. Mënyra sesi janë tensionuar raportet mes Indisë dhe Pakistanit, mes dy vendeve që kanë potencial ushtarak dhe mbi të gjitha bërthamor, dëshmon se Kashmiri mbetet ndër vatrat më të frikshme aktuale të globit. Shqetësimet që kanë ardhur nga zyrtarët lokalë të këtij rajoni kanë bërë që të vihen në lëvizje diplomatë edhe në Pekin, Uashington dhe Londër.
Kriza në Azinë Jugore ka kohë që është evidente. Në vitin 2008 kanë nisur edhe “fërkimet” e para mes shteteve, ndërsa së fundmi ka pasur lëshime armatimesh nga të dyja palët, sulme, por edhe dënime e dëbime ushtarakësh. Luftëtarë të Indisë shkuan në Pakistan e se sipas zyrtarëve indianë ky nuk ishte provokim, por se ishte thjesht stërvitje. Islamabadi zyrtar arrestoi disa ushtarakë indianë, për shkelje të territorialitetit kombëtar, por më vonë në Pakistan u bindën për të bërë “lëshime”, pas vërejtjeve që kishte SHBA-të. Kjo është përplasja më e fuqishme ushtarake mes Indisë dhe Pakistanit që pas vitit 1971, kohë kur tensionet ishin në kulm.
Pakistani rrëzoi një aeroplan indian që fluturonte në hapësirën e vet, ndërsa kapi rob edhe ushtarakët në të. Orë më vonë, videot e pilotit të gjakosur të Indisë, të prangosur dhe të lidhur nga sytë, bënë xhiron e rrjetit, duke thelluar zemërimin në Nju Delhi. Zyrtarët më të lartë të Pakistanit, diplomatë janë ankuar se India shkel territorin e saj, kurse India i quan të gjitha akuzat si “shpifje të ulëta” nga pala tjetër. SHBA-të thanë se e kanë në fokus këtë çështje.