Banorët e Astirit kanë vijuar sot me protestën e tyre në ditën e 135-të të saj. 6 prej tyre u shoqëruan ditën e sotme në komisariatin Nr.6 dhe ata e konsiderojnë këtë si formë terrori e presioni nga shteti.
Njëri prej banorëve të thirrur në protestë ishte edhe Dorian Protoduari, i cili është shprehur se s’ka qenë fare në protestën e djeshme.
“Unë dje nuk isha fare në protestë , u munduan të më gjenin pamjet filmike, pavarësisht se unë nuk isha në protestën e fundit, por nuk jam tërhequr nga protestat do vijoj të marrë pjesë”, tha Protoduari.
Një tjetër protestues tha se s’ka problem që policia po i bën presion pasi do e përballojnë. Sipas tij, banorët e Unazës së Re nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të protestojnë.
“Na thirrin në polici, na bëjnë presion por s’ka problem. E përballojmë. Ata bëjnë korrupsion por çfarë duhet të bëjmë ne kur përballemi me korrupsionin? E vetmja gjë që kemi në dorë është protesta. E shohim çdo ditë. Çfarë duhet të bëjmë ne? Të ulim kokën? Jeni të paftuar dhe si të tillë do largoheni me dru nga Unaza e Re.”, tha një nga protestuesit.
“Kemi bllokuar rrugën. Normale se çfarë do bëjmë.
Kena qenë shumë paqësorë se kjo është natyra e këtyre banorëve. Do të sakrifikohemi ditën kur të jetë e nevojshme me u sakrifiku. Ju vidhni, veni gjoba e ne duhet të ulim kokën para kësaj qeverie që pretendon se kanë ardh me vota.”, vazhdoi më tej i njëjti protestues.
Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, tha se protesta e Unazës së Re do te vijojë deri në anulimin e projektit ndërsa shtoi: “PD opozita e bashkuar është në mbështetjen tuaj, është koha, juaj, merreni vendin, çojeni vendin në BE, atje ku e kemi vendin.”
Një tjetër protestues ka deklaruar: “ 5 veta keni thirrur sot në polici, 500 ju janë shtuar.”