Të shtëna me armë zjarri në një tramvaj në një qytet holandez të Utrehtit. Një person ka hapur zjarr duke lënë disa persona të plagosur, sipas policisë.
Shërbimet emergjente dhe ekipet kundër terrorizmit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes.
Një shesh rreth një stacioni të tramvajit jashtë qendrës së Utrehtit është bllokuar pas të shtënave, njoftoi media lokale. Policia ka rrethuar zonën dhe rrugët ngjitur, por autori i dyshuar ka arritur të shpëtojë.
Ambulanca dhe shërbimet emergjente janë gjithashtu të pranishme edhe pse numri i të lënduarve ende nuk është sqaruar.
Helikopterët janë dërguar në vendin e ngjarjes, tha policia e Utrehtit. U-OV, një kompani transportuese lokale, tha se shërbimet e tramvajit u pezulluan në të gjithë qytetin.
Ende është e paqartë nëse autori veproi i vetëm apo kishte bashkëpunëtorë. “Një burrë filloi të qëllonte me egërsi”, tha një dëshmitar okular për holandezen “NU.nl”.
Por faqja e internetit AD.nl përmendi një dëshmitar që tha se kishte katër persona të armatosur që hapën zjarr ndaj një gruaje pranë stacionit të tramvajit.