Çfarë ndodh në Serbi
Serbia ka disa javë që është përfshirë nga protestat, që kulmuan me “pushtimin” e televizionit shtetëror serb. Dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo fundjavë prej rreth 4 muajsh kundër presidentit Vuçiç, të cilin e akuzojnë ai autokrat.
Ata e akuzojnë kreun e shtetit se ka kapur mediat dhe po tenton të kapë pushtetet e tjera në vend. Qytetarët kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen deri në dorëheqjen e Vuçiçit dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
Çfarë ndodh në Shqipëri
Në Shqipëri, opozita vendosi të djegë mandatet dhe të dalë në shesh për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme.
Kreu i PD-së, Basha, ajo e LSI-së Kryemadhi dhe liderët e partive të tjera opozitare kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë, të cilin e akuzojnë për blerjen e zgjedhjeve në vitin 2017, bashkëpunim me krimin e organizuar, kapjen e mediave, kapjen e sistemit të drejtësisë dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Opozita deklaron se Rama është kthyer në një kryeministër autokrat që i ka të gjitha pushtetet në duart e tij dhe protestojnë prej më shumë se një muaji.
Reagimi i Vuçiç
Presidenti serb, Vuçiç, ka deklaruar se rënia e kuotave të opozitës, po e bëjnë këtë të fundit që të ndërmarrë masa drastike siç janë “pushtimi” i televizionit shtetëror dhe rrethimi i pallatit presidencial.
Ai e ka akuzuar opozitën se nuk e ka moralin për t’i kërkuar atij dorëheqjen ndërsa shprehet i bindur se do qëndrojë në pushtet deri në fund të mandatit. Në fjalën e tij drejtuar serbëve një ditë pas marrjes së godinës së televizionit publik, Vuçic tha se fashistët dhe oligarkët kërkojnë dorëheqjen e tij.
“Fashisti Obradoviç dhe oligarku Dilas, të cilët rrëmbyen 500 milionë dollarë si dhe dhe Jeremiç duan të kthehen në pushtet për të vazhduar vjedhjen. Unë jam objektivi i tyre sepse unë jam duke punuar për konsolidimin politik dhe zhvillimin ekonomik e Serbisë. Ata po i rrisin tensionet pasi kanë kuptuar se mbështetja ndaj tyre është në rënie dhe po pakësohet çdo ditë e më shumë”. – tha ndër të tjera Vuçiç.
Ai postoi gjithashtu një fotografi në rrjetet sociale duke luajtur shah në pallatin presidencial, për të treguar qetësinë e tij.
Reagimi i Ramës
Që prej vendimit të opozitës për djegien e mandateve, Rama, është shfaqur në mediat italiane, ato shqiptare dhe në parlament duke thënë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet dhe se do e vazhdojë mandatin e tij deri në vitin 2021.
Rama ka sulmuar opozitën duke deklaruar vijimësisht se asaj i kanë rënë aksionet në popull dhe se e bën këtë duke qenë se ndihet e pashpresë dhe e dëshpëruar për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat kreu i qeverisë është shprehur i bindur se do i fitojë në mbarë vendin.
Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se frika nga drejtësia bëri që opozita të ndërmarrë hapin e djegies së mandateve dhe të dalë në protesta. Ashtu si Vuçiç, teksa pozita proteston në Tiranë, ai udhëton në qytete të ndryshme të vendit, me autobusët e administratës që e shoqërojnë duke bërë batuta e duke shkrepur foto për të treguar qetësinë e tij. /Hashtag.al