Shqipëria shumë shpejt do të arrijë moshën mediane të Europës. Sipas projeksioneve të publikuara nga INSTAT, popullsia e Shqipërisë do të vazhdojë procesin e plakjes dhe pritet që mosha mediane e saj të arrijë në 42,1 vjeç, në vitin 2031.
Mosha mediane është mosha në të cilën gjysma e popullsisë është më e vjetër dhe gjysma më e re. Në 2018-n, mosha mediane e popullsisë së Shqipërisë ishte 35.4 vjeç. Aktualisht, kontinenti i Europës është më i vjetri, me një moshë mediane prej 42 vitesh, të cilën parashikohet që Shqipëria ta arrijë në harkun kohor të 11 viteve.
Procesi i plakjes shoqërohet me rritjen e shpejtë të koeficientit të varësisë së të moshuarve nga rreth 20,5 të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35,0 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune. Gjatë kësaj periudhe, koeficienti i varësisë së të rinjve do të qëndrojë në nivele konstante prej rreth 25,0 të rinj për çdo 100 persona në moshë pune, raporton INSTAT në projeksionin e fundit të popullsisë.
Ndër shtetet europiane, Monako ka moshën mediane më të lartë, ku sipas një artikulli të World Economic Forum është 53.1 vite.
Në botë, vendet me moshën më të lartë mediane pas Monakos janë: Japonia me 47.3 vite, Gjermania me 47.1 vite, Italia me 45.5 vite dhe Sllovenia me 44.5 vite.
Europa është kontinenti me përqindjen më të lartë të të moshuarve, me 18% të popullsisë mbi 65 vjeç përkundrejt 16% të popullsisë nën moshën 15 vjeç. Në botë, ky raport është 9% e popullsisë mbi 65 vjeç dhe 26% e saj janë nën 15 vjeç.
Pas Europës, kontinenti i Amerikës së Veriut renditet i dyti për sa i përket moshës mediane prej 35 vitesh. Ndër shtetet e kontinentit të Amerikës së Veriut, Kanadaja ka moshën më të lartë me 42.2 vite, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 38.1 vite dhe Meksika me 28.3 vite.
Në Australi, mosha mediane përllogaritet 33 vite, ndërsa në Amerikën e Jugut dhe në Azi rreth 31 vite, pavarësisht se në këtë të fundit, ndodhet Japonia e cila thyen rekord në kontinent për popullsinë e plakur.
Afrika është kontinenti me moshën më të re. Në Afrikë, thuajse 41% e popullsisë janë nën 15 vjeç dhe 3% mbi 65 vjeç. Mosha mediane në kontinentin afrikan është 18 vjeç dhe shteti më i ri i globit është Nigeria me moshë mediane 15.4 vjeç.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor