David Beckham ka pranuar fajin se po përdorte celularin, ndërkohë që po drejtonte makinën tip “Bentley”, disa muaj pasi ai shmangi akuzën për kalimin e kufirit të shpejtësisë.
Ish-kapiteni i kombëtares së Anglisë u akuzua nga një kalimtar se po rrinte në celular ndërkohë që ishte në timon, shkruan “Daily Mail”. Ngjarja ka ndodhur pranë rrugës “Great Portland Street” më 21 nëntor 2018.
Autoritetet britanike konfirmuan sot se Beckham ka pranuar fajin përmes një letre me postë. Nuk dihet ende nëse do ta gjobisin apo dënojnë Beckham-in për përdorimin e celularit.
Në muajin shtator të 2018-ës, Beckham u akuzua se kishte ‘shmangur përgjegjësitë e tij si një model për të rinjtë dhe futbollistët e tjerë’, pasi shmangu ndjekjen penale lidhur me një akuzë se po drejtonte makinën me shpejtësi të lartë. Beckham nuk u ballafaqua me ndonjë veprim të mëtejshëm lidhur me këto akuza.
Ka pasur debat midis avokatëve dhe aktivistëve të sigurisë rrugore për Beckham për këtë.
Joshua Harris, drejtor i fushatave për Brake, tha se ishte ‘jashtëzakonisht zhgënjyese’ të shihje modelin ‘duke shmangur përgjegjësinë e tij’.