Vendosni fjalën kyçe....

LSI i drejton 16 pyetje ambasadorit Borchardt


Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Caka, ia është drejtuar me 16 pyetje ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Borchardt.

Në një status në faqen e saj në “Facebook”, i drejtohet kreut të OSBE-së, pas deklaratës së këtij të fundit lidhur me situatën politike në vend.

Pyetjet për ambasadorin Borchard

Çfarë vlere ka demokracia parlamentare, kur i gjithë shteti është kapur nga Qeveria Demokracia parlamentare nënkupton të lexosh drejt, ndershmërisht dhe të pa deformuar vullnetin zgjedhor të qytetarëve dhe ata të përfaqësohen në Parlament nga ata të cilët i kanë besuar votën e tyre?!

Në një kohë kur organizata që vetë Z. Borchardt drejton, ka pranuar dhe faktuar që vullneti zgjedhor i qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2017, është deformuar (nëpërmjet shit-blerjes dhe vjedhjes së votës) në masën 20%, atëherë a mund të flitet për demokraci parlamentare?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një Parlament që miraton ligje vetëm për klientët e qeverisë?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një Parlament, ku shkelen gjithë procedurat parlamentare?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare, në një Parlament ku opozita trajtohet si fasadë?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare, në një Parlament që kthehet në zyrën noteriale të ligjeve ad-personam?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një Parlament që voton Prokurorin e Përgjithshëm me 69 vota?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një Parlament që zgjedh anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së me vezë Kinder edhe pse ata janë kundërshtuar fuqishëm nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një Parlament që fsheh raportet e Shërbimit Informativ të Shtetit, për një nga anëtarët e KLP-së?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare, në një vend ku nuk funksionon Gjykata Kushtetuese? A ka demokraci dhe shtet të së drejtës, në një vend ku nuk ka kush evidenton shkeljet që i bëhen Kushtetutës dhe ligjeve?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një vend, ku nuk funksionon Gjykata e Lartë dhe ku mosrespektimi i afateve ligjore, mund të nxjerrë nga paraburgimi qindra e mijëra të dënuar për vepra të rënda penale?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një Parlament, ku ka deputetë apo ministra të lidhur me kriminelë, ku ka ministra që lidhen me blerjen e votës, me korrupsionin galopant që ka përfshirë çdo degë të qeverisë (cit. Raporti i DASH)?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një Parlament, që kërkon t’a kthejë çështjen e imunitetit të deputetëve në një gjueti shtrigash, me një kuorum që nuk ekziston as në vendet e botës së tretë?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një vend, ku kanë ikur mbi 400.000 qytetarë?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare, në një Parlament ku Kryeministri është arkitekti i gjithë të këqijave?!

A mund të flitet për demokraci parlamentare në një vend, kur aty nuk ekziston më as demokracia në vetvete, pasi na ndan vetëm një fije e hollë nga autokracia dhe autoritarizmi?!

Kur Z. Borchardt të ketë një përgjigje për të gjitha këto pyetje, atëherë do të jemi në luksin të diskutojmë demokracinë parlamentare. Deri atëherë, nxjerrja e Shqipërisë nga ky malinjitet qeveritar, mbetet misioni kryesor i opozitës. Anarkia nuk zgjidhet me “recetë” e në këto kushte çdo veprim (sidomos kur mbështetet nga ata që na kanë votuar) mbetet legjitim. Shpresojmë të na mirëkuptoni, por edhe nëse nuk e bëni dot, e rëndësishme mbetet që t’a mirëkuptojnë qytetarët shqiptarë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *