Opozita e bashkuar do organizojë protestë ditën e enjtë para parlamentit, kur është lajmëruar zhvillimi i seancës plenare. Protesta do nisë në orën 09:30 në sheshin para parlamentit si herët e tjera, ndërsa njoftimi është bërë nga opozita e bashkuar.
“Të nderuar! Pas diskutimeve në Kolegjin e Kryetarëve u vendos që protesta e radhës të jetë të enjten, në datën 21 mars 2019, ora 9:30, përpara Parlamentit.” – thuhet në mesazhin e shpërndarë.
Opozita ka deklaruar se do zhvillojë protesta para çdo seance parlamentare.
Ndërkohë në seancat e fundit, qeveria ka marrë masa shtesë për të mbrojtur deputetët nga incidentet siç ndodhi në seancën e parafundit duke vënë trupa shtesë policore.
Deri tani 10 deputetë kanë pranuar mandatin e deputetit nga listat e opozitës në qarqe të ndryshme të vendit, ndërsa 3 deputetë nuk kanë dhënë dorëheqje nga mandati, dukë dalë kundër vendimi politik të opozitës së bashkuar për djegien e mandateve.