Heqja e vizave të shtetasve të Kosovës me Bashkimin Europian është e pamundur pa përfunduar zgjedhjet për në Parlamentin Europian.
Lajmi është dhënë nga ministrja e Kosovës e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, e cila ka deklaruar se në takimet që ka zhvilluar në vende të ndryshme të BE-së, i është lënë të kuptohet se heqja e vizave për Kosovën nuk është prioritet pa përfunduar zgjedhjet për Parlamentin Evropian, shkruan Lajmi.net.
Kurse Besnik Vasolli, i cili në Kosovë njihet si ekspert i çështjes së integrimit europian të Kosovës, ka thënë:
“Procesi i liberalizimit është shumë më shumë një proces politik sesa teknik. Debatet në BE rreth Brexitit, zgjedhjeve të majit, por edhe çështjet rajonale siç është dialogu me Serbinë e taksa për produkte nga Serbia e kanë bërë më të vështirë vendimmarrjen, respektivisht e kanë bërë shumë më të vështirë të kemi një pozicion më të qartë se kur mund të presim që liberalizimi i vizave të ndodhë. Askush nuk e di datën e saktë, as në Kosovë e as në BE”.