Paratë e grumbulluara për adoleshentin që qëlloi me vezë senatorin australian Fraser Anning, do të shkojnë për familjarët e viktimave të sulmit në dy xhamitë e Zelandës së Re.
Të martën në mëngjes, faqja “GoFundMe” për Will Connolly, tanimë i njohur si “djaloshi i vezës”, njoftoi se e kishte tejkaluar synimin e saj për të mbledhur 50,000 dollarë australianë, rreth 35,000 dollarë amërikanë.
Një përditësim në faqe zbuloi se 17-vjeçari, Will Connolly po “planifikon të dërgojë shumicën e parave tek viktimat e sulmit terrorist në Christchurch”.
“NYT” shkruan se fondet fillimisht kishin për qëllim vetëm mbulimin e tarifave ligjore për Connolly dhe për ta ndihmuar atë të blinte “më shumë vezë “.
Adoleshenti fitoi famë pasi goditi senatorin Fraser Anning, me vezë në kokë. Incidenti ndodhi pasi Anning fajësoi imigracionin musliman për masakrën e së premtes në Christchurch, Zelanda e Re.
Pasi u godit me vezë, Anning iu kthye dhe e goditi Connolly-n në fytyrë dy herë. Connolly u arrestua në vendngjarje dhe u lirua në pritje të hetimeve të mëtejshme, por fitoi mbështetje nga publiku.