Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar lidhur me incidentin e djeshëm në Durrës, në takimin e tij pas incidentit të ndodhur dje në Durrës me një grup studentësh.
Lleshaj i quan tre studentët tre fatkeqë ndërsa u vë nofkën “ithtarë të Haxhi Miletit”, personazh me të cilin i referohet ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Haxhi Mileti, që ndryshe njihet dhe si Sjellësi i Fatkeqësisë, qenka mërzitur nga takimet e mija me studentët në Durrës. Tre fatkeqe nga prodhimi i tij, në rrugë dhe jo studente, janë një dëshmi e mjerë se si mund të tjetërsohet një i ri kur bëhet ithtar i H. Miletit. Dje kisha një ditë shumë të bukur në Durrës”, shkruan Lleshaj.
Ky reagim i Lleshajt vjen si përgjigje ndaj postimit të djeshëm të ish-kryeministrit Berisha i cili shkruante se studentët e kanë detyruar ministrin të braktisë takimin.
“Vasal Lleshaj burracak shkon ne takim me studentet i rrethuar nga 10 narkopolicet e tij!
Studentet guximtar e bejne per dy leke dhe e perzene me qendrimin e tyre:
Ata i thone erdhe me 10 badiguarde ne takim dhe kerkojne largimin e tyre nga salla
– denojne per perdorimin e gazit lotsjelles dhe pas kesaj iken nga takimi me bisht nen shale!
Nderim studenteve guximtare!”, shkruan Berisha.
Kujtojmë se dje ministri i Brendshëm u prit me protesta në Durrës, ku pati dhe përplasje mes tij dhe disa studentëve të cilët i kërkuan t’u tregonte se cilat ishin këshillat që ai i jepte Edi Ramës lidhur me kanabizimin e vendit kur ai ishte këshilltari i tij.
Në takimin në Durrës, Lleshaj ishte i shoqëruar jo me dy, as tre por me tetë bodygardë.