Një ditë pas protestës në zonën e Astirit, policia ka shoqëruar 6 banorë të zonës. Të shoqëruar janë: Gëzim Sadikaj, Lutfi Kastrati, Ilir Katiraj, Lindita dhe Dorian Protoduari, Skënder Doda.
Protestuesit kanë treguar para kamerave se janë thirrur në një takim edhe nga drejtori i Policisë, takim që nuk është zhvilluar, por që ata e kanë konsideruar këtë një formë presioni që të mos protestojnë më. Ata madje kanë paralajmëruar përshkallëzim në protesta 24-orëshe.
“E vetmja shpresë për banorët e Unazës, është largimi i kësaj qeverie. Atij projekti i kanë marrë lekë, i kanë shpërndarë lekë. Prokuroria nuk bën asnjë lloj veprimi. Presin nga Amerika mos sjell ndonjë provë.
Kërkuam shpjegime për arsyen e takimit me drejtorin e policisë, por takimi është thjesht për presion, për shantazh. Zotëria në fjalë ka marrë përsipër ta mbyllë këtë protestë.
Banorët e Unazës nuk do jenë më aq të urtë. Do të shkojmë drejt bllokimin 24 orë të asaj rruge. Ju kërkojmë ndjesë, nuk duam të bllokojmë njeri, por kjo është mënyra e vetme. Edhe në më pak se një orë e kemi reduktuar vetëm të mos bllokojmë qytetarët. Vetëm me protesta mund të fitojmë dhe ta largojmë këtë qeveri.”, tha një nga banorët e shoqëruar.
Por pavarësisht presioneve me të cilat banorët e Unazës thonë se po përballen, shprehen të vendosur ta çojnë deri në fund protestën e tyre.
“Protesta nuk mbyllet as me ndalime, as me arrestime, as me asnjë mënyrë tjetër. Nesër të shkojmë në protestë para Parlamentit, si në çdo protestë tjetër me po të njëjtin motivim.”, tha një nga banorët që ishte shoqëruar në Komisariat.
“Është hera e 12 që thirrem në komisariat. Protesta jonë është legjitime. Na pyetëm a kemi marrë pjesë në protestë dhe ne i thamë: Po dhe do marrim derisa ky projekt të marrë fund.
Vjedhin 40 milionë euro në projekt të korruptuar dhe asnjë pushtetar nuk ndalohet. Por merren me banorët e Unazës së Re që i kanë katandisur në pikë të hallit. Protesta jonë është e drejtë. Nuk kërkojmë asgjë nga shteti, as punë se ishim të vetëpunësuar në dyqanet tona. I kemi paguar shtetit për 30 vjet taksa me radhë.”, tha një tjetër banore.