Ish-presidenti i Brazilit, Michel Temer, është arrestuar si pjesë e një hetimi gjithëpërfshirës kundër korrupsionit, raportojnë mediat braziliane. Temer e mori detyrën në vitin 2016, pas akuzave ndaj Dilma Rousseff, gjithashtu për korrupsion.
Temer u arrestua në shtëpinë e tij në Sao Paulo të enjten në mëngjes dhe pastaj u transferua në selinë e policisë federale në Rio de Janeiro nga forca e policisë, raportoi gazeta braziliane “Globo”.
Një urdhër arresti gjithashtu thuhet se është lëshuar kundër ish-ministrit të Energjisë, Moreira Franco, si dhe Eliseu Padilha, i cili shërbeu si ministër i Aeronautikës Civile nën ish-presidenten Rousseff dhe më vonë punoi si ministër i Punës dhe shefi i stafit të presidencës së Temer, sipas “Globo”.
Arrestimi lidhet me akuzat për korrupsion lidhur me ndërtimin e centralit bërthamor “Angra 3”, raportoi “Reuters”, duke cituar Prokurorinë Federale Braziliane.
Ndërkohë, mediat braziliane raportojnë se ish-presidenti përballet me hetimin mbi dhjetë raste të ndara. Të paktën disa nga hetimet në punët e tij janë pjesë e hetimit të vazhdueshëm në shkallë të gjerë të njohur si Operacioni “Car Wash” në Brazil.
Nisur fillimisht si një hetim për pastrimin e parave, u zgjerua duke përfshirë akuzat për korrupsion në kompaninë shtetërore të naftës Petrobras. Ish-presidentët Luiz Lula da Silva dhe Dilma Rousseff janë akuzuar gjithashtu për të njëjtën gjë.