Vendosni fjalën kyçe....

Ekipet e shpëtimit në garë me kohën, mijëra njerëz presin mbi çati apo mbi pemë prej tri ditësh


Grupet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë të mbijetuarit nga Cikloni Idai që goditi Mozambikun, por janë në garë me kohën.

Sipas organizatave të bamirësisë, mijëra njerëz janë bllokuar nga përmbytjet katastrofike dhe kanë mbetur të kapur në çati ose nëpër pemë.

Në qytetin e Beira-s, punonjësit e ndihmave thonë se u ka mbetur ujë i pijshëm vetëm për dy deri në tre ditë.

“BBC” shkruan se rreth 300 persona janë konfirmuar të vdekur në Mozambik dhe Zimbabve, por numri i tyre pritet të rritet.

Agjencitë mjekësore paralajmërojnë se me mungesën e ushqimit dhe ujit të pijshëm, kërcënimi i sëmundjeve po rritet.

Një ciklon i fuqishëm përfshiu qytetin e Beira-s të enjten e kaluar, me erëra më të fuqishme se 177 km / h (106 mph). Cikloni shkatërroi gjithçka i doli para pasi u zhvendos brenda vendit nëpër Zimbabve dhe Malavi.

“Gjëja e parë që shihni kur mbërrini është shkatërrim dhe shumë ujë”, tha Get Verdonck, një koordinator emergjent i MSF.

“Njerëzit po përdorin ujë pa klorifikim dhe nuk ka gjasa të jetë i pastër … pneumonia dhe sëmundjet e tjera të frymëmarrjes do të jenë një problem”,  tha ai për Reuters.

Caroline Haga, një zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, tha se zonat më të goditura ishin afër lumit Buzi në perëndim të Beira-s.

Ajo tha se ekipet e shpëtimit po sillnin për të mbijetuarit biskota me energji të lartë, tableta për pastrimin e ujit dhe pajisje të tjera për njerëzit e rrethuar nga uji dhe balta.

“Ne kemi mijëra njerëz … në çati dhe nëpër pemë që presin të shpëtohen”, tha znj. Haga për agjencinë e lajmeve AFP.

“Ne po na mbaron koha, njerëzit po presin për t’u shpëtuar prej më shumë se tre ditësh, nuk mund t’i marrim të gjithë njerëzit, kështu që prioritet tona janë fëmijët, gratë shtatzëna, njerëzit e plagosur”, shtoi ajo.

Presidenti i Mozambikut, Felipe Nyusi, ka deklaruar se më shumë se 100,000 njerëz janë në rrezik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *