Vendosni fjalën kyçe....

Sot protesta e radhës, blindohen Kuvendi dhe Kryeministria (FOTOT)


 

Sot pritet të zhvillohet protesta e radhës e opozitës përpara godinës së Parlamentit. Partia Demokratike dhe aleatët kanë njoftuar strukturat të jenë përpara Parlamentit në orën 09:30, përpara se deputetët e maxhorancës të hyjnë për seancë plenare në Kuvend.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, pritet të mungojë në protestën e sotme për shkak të një takimi të rëndësishëm në Bruksel.

Në seancën e sotme plenare, pritet të betohen tre deputetët e rinj që dje morën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mandatin, e që shtojnë numrin e përfaqësuesve të LSI-së në Kuvend. Ata janë Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Koçiraj, të cilët do të zëvendësojnë respektivisht mandatet e Klajda Gjoshës, Petrit Vasilit dhe Shezai Rrokajt.

Ndërkohë policia nuk ka humbur kohë dhe sikurse në protestat e kaluara, ka blinduar sot Kuvendin  dhe Kryeministrinë duke u radhitur sup më sup që në orët e para të mëngjesit dhe duke vendosur bordura prej hekuri.

Vetëm 24 orë para protestës, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një padi penale ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Bardhi akuzon policinë për dhunë të paligjshme dhe se gazi që ka lëshuar kundër protestuesve në protestën e kaluar, ka qenë helmues.

Në emër të demokratëve, Bardhi ka kërkuar pezullimin nga detyra të Lleshajt e funksionarëve të Policisë, që kanë urdhëruar përdorimin e gazit lotsjellës.

“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës, Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht”, thuhet në letrën shoqëruese që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *