Deputetët e Kosovës kanë miratuar me 74 vota pro një projektrezolutë që pezullon për 30 ditë lojërat e fatit, derisa qeveria të sjellë në Kuvend projektligjin që do t’i ndalojë ato për një afat 10-vjeçar, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare të zhvilluar këtë të premte.
Sipas shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ndalimin e tyre.
“Pas konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare propozoj këto ndryshme: pika e parë, qeveria të nisë procudrat ligjore për pezullim të ligjit deri në ndërrimin e tij; dhe qeveria të sjell brenda 30 ditëve në Kuvend ligjin që i ndalon lojërat e fatit”, tha ai.
Nismëtari i kësaj seance ishte pikërisht shefi i grupit parlamentar të LDK-së, sipas të cilit kazinotë nuk duhen lejuar të “ushqejnë” krimin.
“Shteti i Kosovës duhet të mbrojë qytetarët, mirëpo është për të ardhur keq, që institucionet reagojnë vetëm pas ngjarjeve tragjike. Në Kosovë ekzistojnë 1.645 aparate të licencuara të lojërave të fatit. Nuk duhet të lejojmë që kazinotë të ushqejnë krimin, e lojërat e fatit të përcaktojnë fatin e individëve dhe të familjeve tona”, ka thënë Hoti.
Hoti kërkoi më herët nga deputetët që të mbështesnin rezolutën duke mos zhvilluar debat parlamentar për këtë çështje, për shkak të ndjeshmërisë që pati rasti i vrasjes së dy të rinjve. Mbështetjen për rezolutën e dhanë edhe deputetët e PDK-së.
Shefi i grupit parlamentar të tyre, Memli Krasniqi tha më herët se kishin rënë dakord që të mbështesin thirrjen e seancës dhe tekstin e rezolutës së propozuar.
“Në emër të grupit parlamentar të PDK-së shpreh mbështetjen për këtë rezolutë, e po ashtu mbështesim mocionin që të kalohet drejtpërdrejt në votim të rezolutës pa pasur debat”, ka thënë Krasniqi.
Edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosja ofroi mbështetjen e tij, pavarësisht akuzave që kishte shprehur lidhur me kazinotë, duke thënë se këto vende përdoren për pastrim parash dhe se janë të lidhura me njerëzit e fuqishëm në pushtet.
“Edhe pse me vonesë, është mirë që po flasim për këtë temë. Mirëpo ana e keqe është që ne po flasim vetëm kur njerëzit humbin jetën. Është mirë që kjo të përmbyllet me këtë rezolutë, është e domosdoshme që të ndodhë”, ka thënë Konjufca.
Nisma mbështetet edhe nga Partia Socialdemokrate e deputetëve ish-anëtarë të Vetëvendosjes, sikurse edhe “Nisma” e Limajt.