Forcat Demokratike të Sirisë të mbështetur nga SHBA thotë se grupi i Shtetit Islamik ka humbur territorin e tij të fundit në Siri.
“BBC” shkruan se luftëtarët e SDF-së kanë ngritur flamujt e fitores në Baghuz, bastionin e fundit të grupit xhihadist.
Por, ndërsa filluan festimet pati edhe paralajmërime se IS mbetet një kërcënim i madh global për sigurinë.
Xhihadistët mbeten të pranishëm në rajon dhe janë aktivë në vende si Nigeria apo Filipinet.
Një zëdhënës i SDF-së deklaroi “humbjen territoriale 100%” të IS, duke i dhënë fund kalifatit të tij. “Forcat Demokratike të Sirisë deklarojnë eliminimin total të të ashtuquajturit kalifat dhe humbjes territoriale 100% të ISIS,”– shkroi Mustafa Bali, kreu i zyrës së medias të SDF.
Grupi xhihadist dikur kontrollonte 88.000 km katror tokë që shtrihej në gjithë Sirinë dhe Irakun.
Aleanca SDF e udhëhequr nga kurdët filloi sulmin e fundit ndaj IS në fillim të marsit, ndërsa militantët e mbetur u fshehën në fshatin Baghuz në Sirinë lindore.
Shumë luftëtarë të IS, braktisën Baghuzin, por ata që qëndruan bënë një rezistencë të ashpër, duke përdorur bomba vetëvrasëse apo bomba makine.