Italia u bë vendi i parë i G7-ës që u regjistrua për iniciativën miliarda dollarëshe të Pekinit “Brez dhe Rrugë”.
Marrëveshja u nënshkrua pavarësisht paralajmërimeve nga partnerët e BE-së të Romës, të cilët janë shprehur kundër negociatave me Kinën si shtete të pavarura.
Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua gjatë udhëtimit tre-ditor të presidentit Xi Jinping në Romë. Kina dhe Italia gjithashtu nënshkruan marrëveshje të tjera, duke përfshirë sektorët e çelikut dhe të energjisë.
Duke miratuar projektin masiv të infrastrukturës së Pekinit, Italia shpreson të rrisë ekonominë e saj duke fituar qasje në tregun kinez.
Ish-kryeministri italian Franco Frattini më herët tha se “Nisma e Brezit dhe Rrugës” të Pekinit ka “domethënie shumë të lartë” për Romën dhe partneriteti me Kinën ka për qëllim “të maksimizojë interesat evropiane”.
Vërejtjet e tij u përsëritën më pas nga presidenti Sergio Mattarella, i cili tha se “Rruga e re e Mëndafshit” që lidh Evropën me Kinën duhet të përdoret jo vetëm për shkëmbimin e mallrave, por “zgjidhje afatgjata për problemet e përbashkëta dhe projektet e ardhshme”.
Ndërkohë, Pekini po bën përpjekje për të nxitur tregtinë me vendet e BE-së pasi përballet me një ndalesë mbi tarifat me SHBA.
“Ne duam të ringjallim rrugën e lashtë të mëndafshit, në mënyrë që të ndajmë më mirë frytet e përparimit të njerëzimit”, u tha gazetarëve të shtunën Xi Jinping, duke iu referuar planit ambicioz të vendit të tij për të ndërtuar rrugët e transportit detar në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Detajet e plota të kontratave nuk janë zbuluar ende por raportet sugjerojnë se ato mund të jenë me vlerë deri në 20 miliardë euro.
Mediat kineze shkruan se qytetet portuale të Gjenovës, Triestes, Ravenës dhe Palermos mund të përfshihen në planin e Romës për të tërhequr anijet dhe investimet kineze.
Gatishmëria e Italisë për të forcuar lidhjet me Kinën u bë burim shqetësimesh mes disa partnerëve në BE, të cilët e shohin Pekinin si një rival të fuqishëm.
“Koha e naivitetit evropian” dhe një “qasje e pakoordinuar” ndaj ndikimit kinez kanë mbaruar, paralajmëroi të premten presidenti francez Emmanuel Macron, duke shtuar se Pekini “arriti të përfitojë nga ndasitë që ekzistojnë mes europianëve “.
Kryeministri holandez Mark Rutte vuri në dukje se disa marrëveshje me Kinën “mund të paraqesin një problem” për Europën.
Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se “të gjithë duhet të kujtojnë se BE dhe Kina nuk janë vetëm partnerë, por edhe konkurrentë”, duke thënë se do të ishte më mirë nëse vendet anëtare do negocionin me Pekinin si bllok i vetëm.
/Hashtag.al
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT